2013-08-15 11:25:27

Solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell


Shënime historike
Në zanafillë, kremtimi i Përkujtimit të Shën Marisë në Jeruzalem më 15 gusht, kishte karakter popullor. Në këtë ditë, populli i lutej Zojës së Bekuar për mbrojtjen e vreshtave. Festa, që u duk menjëherë pas shpalljes solemne të Amësisë Hyjnore, në Efez (431), e shikonte Marinë si Nënë e Zotit. Më pas, duke nisur nga shekulli IV, nisi të flitej edhe për vendvarrosjen e Marisë, në një Kishë, ndërtuar rreth vitit 450, në Gjetsemani. E ka shumë mundësi që rrëfimet apokrife rreth vdekjes së Zojës së Bekuar, kontribuan për ta shndërruar kremtimin e 15 gushtit, në festë të vdekjes së Nënës së Zotit.
Me sa duket, pastaj, ishte perandori bizantin Maurici (582-602), ai që e shpalli me dekret festë, atë, që u quajt ‘Fjetja e Marisë’ e që nisi të kremtohej në të gjithë perandorinë. Historia tregon se festa u bë shumë popullore, pikërisht duke nisur nga shekulli VII.
Gjithnjë në shekullin VII, festa e Dremitjes së Virgjërës Mari nisi të kremtohej edhe në Romë, nga një papë lindor, Sergji I (687-701), nën papninë e të cilit, sipas njoftimeve, që vijnë deri në kohët tona, kremtoheshin katër festa mariane: Pastrimi, Lajmërimi, Fjetja dhe Lindja e Marisë, të gjitha për t’u kremtuar me procesion solemn, në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe.

Por u desh të kalonte dhe një shekull, para se termi ‘Fjetja’, t’i lëshonte vendin atij, më shprehës, ‘Të Ngjiturit’, që fillon të duket në dokumente, që nga vitit 770.

Në fillim, në Romë, festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, kremtohej paradite, me një procesion, që nisej nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, për të arritur deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku pritej nga Ikona e Zojës, “Shpëtimtare e Popujve Romakë”. Atëhere Papa kremtonte Meshën.
Ky procesion vijoi deri në shekullin XIV. U ndërpre, nuk e dimë për çfarë arsyeje, nga Papa Piu V(1566-1572).

Dogma
Përkufizimi solemn i dogmës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell u shpall nga Papa Piu XII, më 1 nëntor 1950: “Solemniteti i Të Ngjiturit në Qiell të së lumes Virgjërës Mari, Nënë e Zotit tonë Jezu Krishtit që, si e kreu shtegtimin e jetës tokësore, u ngjit në lumninë qiellore me shpirt e me trup” (Cost. ap. Munificentissimus Deus, AAS 42[1950],770).
Kjo e vërtetë feje, e marrë nga tradita e Kishës, u përkufizua solemnisht nga Papa Piu XII”.
Dogma përmendet qartë në Kushtetutën dogmatike “Lumen Gentium”, dokument i Koncilit II të Vatikanit, datuar 21 nëntor 1964, në të cilin shkruhet: “Zoja e Papërlyer, e ruajtur nga çdo njollë mëkati të rrjedhshëm, si kreu shtegtimin e jetës tokësore, u pranua në mbretërinë qiellore me shpirt e me korp e u lartua nga Zoti si mbretëreshë e universit, për të qenë, kështu, e ngjashme me Birin e saj, Zotëri i zotërinjve (cfr Ap, 19,16), e fitimtar mbi mëkatin e mbi vdekjen” (LG, n.259).

Përkufizimi dogmatik, duke deklaruar se Maria nuk duhej të priste, si krijesat e tjera, fundin e kohëve për të gëzuar edhe ngjalljen e korpit, deshi të vërë në dukje karakterin e pashembullt të shenjtërimit personal, sepse mëkati nuk arriti kurrë ta errësonte shkëlqimin e shpirtit të saj.
Prej këndej, Maria paraqitet si Eva e re, e lidhur ngushtë me Adamin e ri, Jezusin. Jezusi e Maria janë gjithnjë bashkë, në dhimbje e në dashuri, për të shpërblyer mëkatin e paraardhësve tanë. Maria nuk është vetëm Nëna e Shëlbuesit, por edhe bashkëpunëtorja e Tij më e ngushtë, e bashkuar pazgjidhshmërisht me Të. E ky bashkim kërkon që edhe Maria të ngadhënjejë, ashtu si Jezusi, jo vetëm mbi mëkatin, por edhe mbi vdekjen, dy armiqtë më të mëdhenj të gjinisë njerëzore. E me që vepra shëlbuese e Krishtit përfundon me ngjalljen e korpit, edhe fitorja e Marisë mbi mëkatin, e përcaktuar nga dogma e të Zënit të Saj të Papërlyer, duhet të plotësohej me fitoren mbi vdekjen, përmes dogmës së Të Ngjiturit në Qiell. Maria, e parashëlbuar, është edhe e parangjallur, pas Krishtit e para gjithë të tjerëve.

Ndryshimi ndërmjet Fjetjes e të Ngjiturit në Qiell
Në Lindje, Dremitja e vë theksin posaçërisht mbi rrëfimet e apokrifeve (Protoungjilli i Jakut dhe tregimi i Shën Gjon Teologut mbi ‘Fjetjen’ e Nënës së Shenjtë të Zotit), në të cilat rrëfehet se Maria u lajmërua për vdekjen, nga Kryeengjëlli Gabriel, i cili i tha: “Pas tri ditësh, Jezusi do të vijë të të marrë”. E ashtu edhe ndodhi. Maria u mor nga Jezusi në formën e një vashe, veshur me të bardha. Apostujt, të shpërndarë në të katër anët, larg, u mbartën mrekullisht pranë Saj. Ajo i ngushëlloi, i bekoi, u lut për paqen në botë, e vdiq. Ata e varrosën në Gjetsemani. Tri ditë më pas, Maria iu duk atyre, nësa po kremtonin Eukaristinë, e Apostujt e gjetën varrin e zbrazur. Shpirti i Marisë ishte mbartur nga Jezusi e, pas tri ditësh, Zoti erdhi të merrte edhe trupin e Nënës, për ta mbartur në Parajsë. Kështu, pra, në Lindje theksi vihet mbi Fjetjen e Marisë, domethënë, mbi vdekjen e Zojës së Bekuar.
Në Perëndim, vihet mbi lumnimin e Marisë, mbi Të Ngjiturit e Nënës me korp e shpirt në qiell.
Kujtojmë edhe se Maria duket për herë të fundit në shkrimet e Besëlidhjes së Re në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve: Zoja është në mes të Apostujve, në çenakulll, në pritje të zbritjes së Shpirtit Shenjt,

Doke e zakone në prag të Festës
Bizantinët, që nga koha e Teodorit Studit (826), i paraprijnë festës me 14 ditë agjërimi. E kjo periudhë njihet si ‘Fjetja” e Marisë e konsiderohet si ‘Pashka e Nënës së Zotit’. Vetë 14 ditët, që i paraprijnë, njihen me emrin “Kreshmët e Virgjërës”, në përkim me Kreshmët e mëdha, që i paraprijnë Pashkëve të Krishtit. Janë ditë të rrepta agjërimi, në të cilat besimtarët ngarendin me shumicë në Kishë për të kënduar ritin e lutjeve, drejtuar Nënës së Zotit, i quajtur Paraclisis, përmes të cilit fitohet ndjesa e plotë. E i lartojnë sytë lutës kah Nëna e Zotit, e lumnuar në qiell, për të fituar hirin për vete, për familjet e tyre, për korpin e për shpirtin. Po riti i Paraclisis i këtyre ditëve, është shumë më tepër se një lutje e thjeshtë, është përpjekeje për t’u takuar shpirtërisht me Nënën e Zotit, për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkës së lavdisë. Ky rit, tejet i lashtë, kremtohet me solemnitet të veçantë, posaçërisht me dy tekste të mëdha: me Kanunet, domethënë me dy kompozime himnografike: Kanuni i Vogël e Kanuni i Madh i lutjes drejtuar Nënës së Zotit për t’i lypur hire e edhe për t’u përgatitur për kremtimin solemn të festës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, për Fjetjen, Dremitjen a Përgjumjen e Virgjërës, Nënës sonë qiellore.
Solemniteti arrin kulmin me mbrëmësoren e Lutjes, më 14 gusht, në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe, me Oficen dhe Leximet e Meshës të natës së festës, ndërmjet të cilave, lutja: “O Nëna e Shenjtë e Zotit, shpëtona!”.

Ndër armenë, pas Meshe meshtari kremtues bekon, rrëzë elterit, disa vile rrushi, që u shpërndahen, pastaj, të pranishmëve.
Në Perëndim, gjatë mesjetës, festa shoqërohej me një mori dokesh popullore, posaçërisht në veri, ku bekoheshin, e bekohen, bari e të korrat e para.







All the contents on this site are copyrighted ©.