2013-08-15 12:29:14

Papa Klariseve: nëse Pjetri i mbyll portat e Parajsës, Maria i hap


Para se të kryesonte Meshën në Kastel Gandolfo, Papa Françesku u takua me klariset e Manastirit të Klauzurës të Albanos, një muaj pas vizitës së tij të parë në këtë institut. Takimi zgjati rreth tre çerekë ore. Për të flet, në mikrofonin tonë, Abatesha, Nënë Maria Asunta Fuoko:
Përgjigje: - Të shprehësh ndjenjat, që jetuam në këtë takim të shkurtër, por tejet të ngarkuar me emocione, është e vështirë. Gjithsesi mund të them se Ati i Shenjtë na la një porosi të çmuar: na nxiti ta jetojmë me fund thirrjen tonë, me thjeshtësi, në kërkim të themelores, në varfëri, që na bën të ndjehemi vërtet motra. Papa na foli thjesht, po me një thjeshtësi, që të trondit e të gëzon.

E një nga klariset, motra Maria Konçeta, shton:
Përgjigje: - Na foli në një mënyrë, që na preku shumë, për Marinë, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Saj në Qiell. Gruaja e përkushtuar i ngjet Marisë, tha e shtoi: “Maria është tek porta e Parajsës; kur ia behin mëkatarët, Shën Pjetri nganjëherë nuk pranon ta hapë portën. Maria vuan, por nuk largohet prej aty. E natën, kur portat mbyllen e nuk e sheh askush, Maria i hap e i lë të gjithë të hyjnë brenda. E kuptuam se po fliste simbolikisht për thirrjen tonë, për jetën tonë, kushtuar plotësisht lutjes, që sot nuk kuptohet, por që hap portat e Parajsës. Në heshtje, në errësirë, në natë, kur askush nuk shikon, askush nuk dëgjon, kur njerëzit kalojnë para manastireve të jetës kundruese e nuk e dinë as kush banon aty e pse. Ja, në këtë heshtje, në natë, zhvillohet misioni ynë, hapja e Portave të Parajsës, për të hyrë brenda mbarë njerëzimi. Misioni ynë i ngjet atij të Marisë. Lutemi, për të hapur portat, për të ringjallur besimin, shpresën. Askush nuk e di këtë... por kjo nuk na prish punë. E di Zoti, e di Maria.







All the contents on this site are copyrighted ©.