2013-08-15 11:25:45

Nën mbrojtjen Tënde, o Zojë, kërkojmë strehë!


Sot, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Nënës së Zotit në Qiell, kremtojmë kalimin nga gjendja tokësore, në lumninë qiellore të Asaj, që lindi në trup e pranoi në fe, Zotin e jetës. Festa nisi të kremtohej që në zanafillë të Kishës, për të vënë në dukje rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit, ose për të kremtuar çastet kryesore të jetës tokësore të Nënës së Krishtit, Zojës së Papërlyer gjithmonë Virgjër, Nënë e Zotit që, si e kreu shtegtimin e jetës tokësore, u ngjit në lumninë qiellore me shpirt e me trup.
Artistë të të gjitha epokave e pikturuan dhe e skalitën shenjtërinë e Nënës së Zotit, duke zbukuruar kisha e shenjtërore. Poetë, shkrimtarë, muzikantë e shprehën nderimin e tyre të thellë për Nënën e Virgjër të Zotit, duke krijuar himne e këngë mahnitëse liturgjike. Nga vendi ku lind dielli e deri atje ku perëndon, e Gjithëshenjtja u quajt Nënë Qiellore, që mban Birin e Hyjit në ato krahë, të cilët mund të përfshijnë, në një përqafim kozmik, mbarë njerëzimin, sepse Zoja e Bekuar është strehë për të gjithë ata, që kërkojnë ndihmën e saj amtare e i luten me uratën e lashtë:
“Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë,
Nënë e Shenjtë e Zotit:
mos i përbuz lutjet,
që të drejtojmë, në çaste prove,
por na shpëto nga çdo rrezik,
o Virgjër e lume e e bekuar”.
E në Ungjillin e solemnitetit, Shën Luka përshkruan si përmbushet shëlbimi, përmes Virgjërës Mari. Ajo, në kraharorin e së cilës i Gjithëpushtetshmi u bë i vogël, pas kumtimit të Engjëllit, nxitoi pa asnjë vonesë tek kushërira e saj, Elizabeta, për t’i çuar Shëlbuesin e botës. E porsa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i hovi foshnja në kraharor... e u mbush me Shpirtin Shenjt (Lk 1,41); Njohu, kështu, Nënën e Zotit, në ‘atë që besoi se do të plotësohej çka ishte thënë prej Hyjit’ (Lk 1,45). Dy gratë, që prisnin përmbushjen e premtimeve hyjnore, parashijuan, në këtë çast, gëzimin e ardhjes së Mbretërisë së Zotit, gëzimin e shëlbimit”.
T’ia besojmë, prandaj, veten Marisë që, siç pohon Shërbëtori i Zotit, Pali VI, edhe pasi u ngjit në qiell, nuk hoqi dorë nga misioni i saj i shëlbimit. Asaj, prijëses së Apostujve, shtyllës së martirëve, dritës së shenjtorëve, ia drejtojmë uratën tonë, duke iu lutur të na shoqërojë në këtë jetë tokësore, të na ndihmojë të shikojmë qiellin e të na mikpresë, një ditë, pranë Birit të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.