2013-08-15 14:45:04

Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: Maria është gjithnjë me ne, na mbështet nga qielli në provat më të vështira


Maria hyri në lumninë e qiellit, por është gjithnjë me ne, në çdo provë. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Kastel Gandolfo për solemnitetin. Papa e kryesoi Eukaristinë në Sheshin para Pallatit Apostolik, përplot me besimtarë. Zëdhënës i tyre ishte famullitari i Kastel Gandolfos, don Pietro Dileti, që shprehu gëzimin e mbarë bashkësisë për këtë ngjarje prekëse.
Sheshi i Lirisë i Kastel Gandolfos i ngjiste sot Sheshit të Shën Pjetrit. Mijëra besimtarë, ndërmjet të cilëve binte në sy një grup kinezësh, një tjetër meksikanësh e shumë flamuj argjentinas, u mblodhën që herët para Pallatit Apostolik. Turmë shumëngjyrëshe, e hareshme. Familje, të rinj, fëmijë, mbledhur aty, për një festë të dyfishtë: Solemniteti i Zojës së Ngjitur në Qiell e takimi i ri me Papën, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të 14 korrikut të kaluar. Në fillim të homelisë, Papa kujtoi figurën e Marisë, sipas Lumen Gentium. Maria, tha, shkëlqen për ne si shenjë e sigurt shprese e ngushëllimi për popullin shtegtar të Zotit.
Pastaj u ndalua tek tri fjalë kyçe: “Lufta, ringjallja, shpresa”.

Papa shpjegoi se në Librin e Zbulesës flitet për luftën ndërmjet gruas e dragoit. Figura e gruas, që përfaqëson Kishën, është, nga njëra anë, e lavdishme e ngadhënjyese, ndërsa nga ana tjetër, në dhimbjet e lindjes. Kështu është Kisha në histori! Jeton vazhdimisht prova e sfida, pasojë e ndeshjes së vazhdueshme ndërmjet Zotit e djallit. Luftë, që nuk duhet ta përballojmë të vetëm:
“Nëna e Krishtit dhe e Kishës është gjithnjë me ne. Gjithnjë: ecën me ne. Është me ne. Edhe Maria, në një farë mënyre, e jeton me ne këtë gjendje të dyfishtë. Ajo, natyrisht, hyri tashmë, një herë e përgjithmonë, në lumninë e Qiellit. Po kjo nuk do të thotë se u largua, se u shkëput nga ne; përkundrazi, Maria na shoqëron, lufton përkrah nesh, i ndihmon të krishterët në ndeshjen kundër forcave të së keqes”.
Prej këndej, lutja me Marinë, posaçërisht Rruzarja, ka edhe kjo përmasën e ndeshjes, të luftës kundër djallit e bashkëpunëtorëve të tij. E pikërisht për këtë dialogoi Papa me besimtarët, mbledhur në Shesh:
“… Po, dëgjojeni mirë: Rruzarja! A e thoni Rruzaren për ditë? Nuk e di… Sigurisht? E? Shumë mirë!”.
Pas kësaj Ati i Shenjtë u ndalua tek ringjallja, duke nënvizuar se të jesh i krishterë, do të thotë të besosh se Krishti u ngjall me të vërtetë nga të vdekurit. E gjithë feja jonë, shtoi, bazohet mbi këtë të vërtetë kryesore, që nuk është ide, po ngjarje. E edhe misteri i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell përfshihet në Ngjalljen e Krishtit:
“Natyra njerëzore e Nënës u tërhoq nga Biri në kalimin përmes vdekjes. Jezusi hyri një herë e përgjithmonë në jetën e pasosur me gjithë natyrën e tij njerëzore, atë, që e pati marrë nga Maria; kështu Ajo, Nëna, që e ndoqi pas besnikërisht gjithë jetën, e ndoqi me gjithë zemër, hyri bashkë me Të edhe në jetën e amshuar, që e quajmë edhe Qiell, Parajsë, Shtëpia e Atit”.
Edhe Maria, vijoi Ati i Shenjtë, e provoi martirizimin e Kryqit, martirizimin e zemrës. Ajo vuajti shumë, në zemër të vet, nësa Krishti vuante mbi Kryq:
“U bë një me Të në vdekje, e pikërisht për këtë iu dha dhurata e ringjalljes. Krishti është fryti i parë i të ngjallurve e Maria, fryti i parë i të shpërblyerve, e para nga ata, që janë në Krishtin”.
Më pas Papa foli për lidhjen ndërmjet Marisë e shpresës. Një virtyt, theksoi, që e kanë ata, të cilët, duke provuar konfliktin, luftën e përditshme ndërmjet jetës e vdekjes, së mirës e së keqes, besojnë në ngjalljen e Krishtit, në fitoren e dashurisë. E, shtoi, himni i Marisë, Magnificat, është pikërisht kënga e shpresës, kënga e popullit të Zotit, që vijon shtegtimin në udhët pafund të historisë:
“Është kënga e shumë shenjtorëve e shenjtoreve, disa të njohur, të tjerë, të shumtë, të panjohur nga njerëzit, por të mirënjohur nga Zoti: nëna, etër, katekistë, misionarë, priftërinj, murgesha, të rinj e dhe fëmijë, gjyshër e gjyshe: të gjithë ata, që e përballuan luftën e jetës, duke mbartur në zemër shpresën e të vegjëlve e të të përvuajturve”.
Kjo këngë, pohoi, bëhet posaçërisht prekëse, atje ku Korpi i Krishtit vijon të pësojë mundimet e Kryqit. E Maria është pranë këtyre bashkësive, këtyre vëllezërve tanë, ecën me ta, vuan me ta e këndon Magnificat-in e shpresës:
“Ku është Kryqi, për ne, të krishterët, është shpresa: gjithnjë. Nëse nuk kemi shpresë, nuk jemi të krishterë. Prandaj dëshiroj të them: mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën. Të mos na e rrëmbejnë shpresën, sepse kjo forcë është hir, është dhuratë e Zotit, që na çon përpara, me sytë e ngulur në Qiell”.
Të dashur vëllezër e motra, përfundoi Papa, ta këndojmë edhe ne, me gjithë zemër, këtë këngë. Është këngë durimi e fitoreje, lufte e gëzimi, që bashkon në një, Kishën ngadhënjyese me atë shtegtare, bashkon tokë e qiell, bashkon historinë e amshimin, kah i cili vijojmë shtegtimin nëpër udhët e tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.