2013-08-14 10:22:18

Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Romë


Pesëmbëdhjetëditëshi i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Rrugën Lata.
Prej më se njëmijë vjetësh, të gjitha Kishat e Lindjes e jetojnë me përshpirtëri të thellë solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
Nisi, kështu, në Kishat lindore, koha më e fortë mariane, përqendruar tek festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që njihet edhe si “Pashka e Nënës së Zotit”. Solemnitetit i paraprin pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes e i agjërimit, “Kreshmët e Virgjërës”. Pesëmbëdhjetëditëshi, që kremtohet në mënyrë të veçantë në Bazilikën e mirënjohur romake të Shën Marisë në Rrugën Lata, kremtohet çdo vit në fillim të gushtit e deri natën e festës, më 14 gusht.
Pesëmbëdhjetëditshi i Zojës së ngjitur në qiell është realizim gati liturgjik i asaj, që kremtohet në botën e Kishës së ritit bizantin, si katolik, ashtu edhe ortodoks, sepse në Kishën bizantine ‘Fjetja” e Marisë konsiderohet si ‘Pashka e Nënës së Zotit’ e 14 ditët, që i paraprijnë, njihen me emrin “Kreshmët e Virgjërës”, në përkim me Kreshmët e mëdha, që i paraprijnë Pashkëve të Krishtit. Janë ditë të rrepta agjërimi, në të cilat besimtarët ngarendin me shumicë në Kishë për të kënduar ritin e lutjeve, drejtuar Nënës së Zotit, të quajtur Paraclisis, përmes të cilit fitohet ndjesa e plotë. E i lartojnë sytë lutës kah Nëna e Zotit, e lumnuar në qiell, për të fituar hirin për vete, për familjet e tyre, për korpin e për shpirtin.
Po riti i Paraclisis i këtyre ditëve, është shumë më tepër se një lutje e thjeshtë, është përpjekje për t’u takuar shpirtërisht me Nënën e Zotit, për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkës së lavdisë. Ky rit, tejet i lashtë, kremtohet me solemnitet të veçantë, posaçërisht me dy tekste të mëdha: me Kanunet, domethënë me dy kompozime himnografike: Kanuni i Vogël e Kanuni i Madh i lutjes drejtuar Nënës së Hyjit për t’i lypur hire e edhe për t’u përgatitur për kremtimin solemn të festës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, për Fjetjen apo Përgjumjen e Virgjërës, Nënës sonë qiellore.
Solemniteti arrin kulmin me lutjet e Mbrëmësores ditën e 14 gushtit, në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe në Romë, me Oficen dhe Leximet biblike të Meshës të natës së festës.







All the contents on this site are copyrighted ©.