Kishat në trevat shqiptare kushtuar Virgjërës Mari
Kishat në trevat shqiptare kushtuar Virgjërës Mari dëshmi identiteti kombëtar, thesar
feje e arti. Gjatë gushtit Kisha përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër,
siç dëshmojnë festat për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit.
E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë.
Kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin
marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara
nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar
Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër);
Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë,
Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste,
Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek
XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin). Këtyre
tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet
edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë
vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm
i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII);
Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i
ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta. Mos
të harrojmë Kosovën. Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës
Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një shenjtërore
tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë
në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale) ajo e Zojës së Madhe në
Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës,
Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë
e tjera e tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari
në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare. Ndërmjet shumë
festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë
në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit
e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët),
që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë festa njihet
edhe si Shën Mëria e Verës, Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe, në sa, më
4 dhjetor, festohet edhe Shën Maria e Dimrit. Kalendari Julian e shënonte më 27
gusht, ai Gregorian, më 15. Ishte e mbetet festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës.
Sipas traditës, besimtarët e kremtonin me shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat
e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin tempujt e paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë,
duke nisur nga Mali i Tomorrit; Mali i Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit,
afër Krujës; Maja e Kundrevicës, në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689,
duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin
me këtë rast në kulmin e verës: “Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën,
me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin
marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon
me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin
kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...” Në
Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës
e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën
se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve,
aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën
e diktaturës. Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e
Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara
me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla
edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë. Prandaj në kulmin e gushtit,
kur vera përgatitet t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet e mëdha të botës perëndimore
zbrazen e njerëzit dynden kah viset më të njohura për bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët
e vendet ku ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra arti, ku pa dyshim, do të takohen
edhe me Shën Mërinë!