2013-08-13 13:12:18

Papa Françesku, futbollistëve: lutuni që edhe unë të luaj një ndeshje të ndershme, për të mirën e të gjithëve


“Lutuni për mua, që edhe unë, në fushën që më ka lënë Zoti, të luaj një ndeshje të ndershme e të guximshme, për të mirën e të gjithëve”. Këto ishin fjalët, me të cilat Papa Françesku përfundoi takimin me dy skuadra futbolli, kombëtaret e Italisë e të Argjentinës, që i priti sot në mesditë në Vatikan. Nesër në mbrëmje, në orën 20.45, në Stadiumin Olimpik të Romës, ato do të luajnë një ndeshje miqësore, për nder të Atit të Shenjtë.
E fillimisht, duke bërë shaka pikërisht për këtë ndeshje, Papa Françesku tha: “Shyqyr që është miqësore, se nuk di për kë të jem tifoz, për Italinë apo për Argjentinën”. Përshëndetja e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Xhankarlo Abete dhe e argjentinasit Hulio Grondona, e vinte theksin në një futboll të shëndoshë e të pastër, që ndihmon solidaritetin e integrimin shoqëror, duke mbrojtur vlerat etike, e Papa nuk la pa vënë në dukje përgjegjësinë e lojtarëve në këtë drejtim. Atyre, Ati i Shenjtë u kërkoi të kenë shpirtin e diletantit, të amatorit, pavarësisht se bëjnë pjesë në skuadra profesioniste:
“Ju, të dashur lojtarë, jeni shumë popullorë: njerëzit ju ndjekin shumë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kjo është përgjegjësi shoqërore! Po e shpjegoj këtë: në lojë, kur jeni në fushë, gjenden bukuria, kënaqësia pa interes dhe atmosfera miqësore. Nëse ndeshjes i mungojnë këto e humb forcën, pavarësisht se skuadra fiton”.
Një sportist, vazhdoi Papa Françesku, megjithëse profesionist, kur mbetet “diletant”, “amator” në shpirt, i bën mirë shoqërisë, pasi i jep asaj pikërisht këto tri vlera: bukurinë, kënaqësinë pa interes dhe atmosferën miqësore. Para se të jeni kampionë, u tha Ati i Shenjtë futbollistëve italianë dhe argjentinas, ju jeni njerëz, me të mirat e të këqiat që ju karakterizojnë, me zemrën dhe idealet tuaja, me aspiratat e problemet, me humanitetin tuaj, që duhet të duket në fushë e në jetë. Ndërkaq, drejtuesve u tha:
“Sporti është i rëndësishëm, por duhet të jetë sport! Futbolli, ashtu si disiplina të tjera, është kthyer në një biznes të madh! Punoni që të mos e humbasë karakterin sportiv. Edhe ju, promovoni atë sjellje prej ‘diletanti’, e cila ndihmon edhe në eliminimin përfundimtar të rrezikut të diskriminimit. Kur skuadrat shkojnë në këtë rrugë, stadiumi pasurohet nga pikpamja njerëzore, zhduket dhuna e nëpër shkallë, fillojnë e duken sërish familjet”.
E në gjuhën e vet, iu drejtua argjentinasve me kujtimet e fëmijërisë, me kampionatin e vitit 1946, kur – theksoi Papa – shkonim në stadium prindër e fëmijë. Kujtoi një gol të Pontonit, sulmuesit të skuadrës së tij të dashur, Shën Lorencit, kampione e Argjentinës. E me kërkesën për lutje, Ati i Shenjtë e përfundoi takimin me futbollistët - mënyrë e këndshme për të festuar edhe 5-mujorin e papnisë së tij, që bie pikërisht sot. Duke folur me gazetarët në kthim nga Rio-de-Zhanejro për bilancin e papnisë, vetë Papa Françesku pati veçuar takimin me ipeshkvijtë italianë, por sidomos vizitën në ishullin e Lampeduzës, gjatë së cilës përqafoi mijëra emigrantët, ardhur në Itali me lloj-lloj barkash e mjetesh të pasigurta lundrimi, për të kërkuar një jetë më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.