2013-08-12 15:47:42

Papa Françesku për 200-vjetorin e Katedrales së Qytetit të Meksikos: rast për hov të ri misionar


“Nxitje e fortë shpirtërore, për impenjim të ri misionar”: kështu e quan Papa Françesku 200-vjetorin e përfundimit të ndërtimit të Katedrales së Qytetit të Meksikos, kushtuar Zojës së Madhe, që do të kremtohet më 15 gusht. Në një mesazh për këtë rast, drejtuar kardinalit Norberto Rivera Karrera, Papa i nxit besimtarët të ushqejnë shpresën, që vjen nga feja dhe u drejton një përshëndetje të veçantë të rinjve “dritare e hapur për gëzimin dhe entuziazmin”.
“Rast për t’i hedhur një vështrim së kaluarës, për të fuqizuar të sotmen e për të gatitur të ardhmen”. Kështu e quan Papa Françesku 200-vjetorin e Katedrales së Qytetit të Meksikos, festë përkujtimore, që do të kremtohet në kryeqytetin meksikan më 15 gusht, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Nga historia e kësaj kishe, i shkruan Papa kardinalit Rivera Carrera, mund të nxjerrim mësime të çmuara për jetën tonë të krishterë. E, në vijim, i fton besimtarët ta ruajnë e ta shfrytëzojnë me kujdes e dashuri këtë trashëgimi shpirtërore. Kjo festë, nënvizohet në mesazhin papnor, duhet shikuar si mundësi për t’u kthyer në rrugën e Zotit e si nxitje shpirtërore për ta pranuar me gëzim detyrën, që ka çdo i pagëzuar, për të qenë dishepull e misionar i Krishtit.Nga Eukaristia, shkruan akoma Papa, marrim forcë për ta dëshmuar dashurinë e Jezusit në çdo mjedis, ku ndodhemi e, posaçërisht, ndërmjet njerëzve, që jetojnë në kushte të vështira e që kanë më shumë nevojë për këtë dashuri. Njëkohësisht, pohon, duhet ta pranojmë sfidën për ta parë të ardhmen me shpresë. “Që askush të mos guxojë të na e rrëmbejë shpresën”, përsërit, e i fton të gjithë ta ushqejnë këtë shpresë. Papa uron që Fjala e Zotit, e cila jehon prej dyqind vjetësh në Katedrale, të rrënjoset në zemrat e fëmijëve dhe të rinjve, “dritare e hapur për të hyrë gëzimi dhe entuziazmi”. Të rinjve, pohon Ati i Shenjtë, duhet t’u japim gjënë më të mirë, që kemi: Krishtin, Shëlbues e Mik, i cili nuk të braktis kurrë. Kjo, shkruan më tej Ati i Shenjtë, ka të bëjë më shumë me prindërit, që nuk duhet ta harrojnë kurrë detyrën për edukimin e krishterë të fëmijëve, duke llogaritur jo vetëm energjitë e tyre, por sidomos, duke u mbështetur tek lutja. Në përfundim të mesazhit, Papa ia beson të gjithë besimtarët meksikanë përqafimit amëtar të Zojës së Gadalupes e u kërkon të luten për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.