Më 12 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjovanen Shantal
Sot më 12 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjovanen Shantal, rregulltare. Jeta
e Gjovana Fremiòt lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me shën Françeskun e Sales, drejtuesi
e udhëheqësi i saj shpirtëror, për të cilin më pas u bë frymëzuese e bashkëpunëtore
e ngushtë. Zhanë Fransua Fremiň lindi në Dizhon të Francës më 28 janar 1572. Mbiemrin
e ri e mori pas martesës me baronin Shantal. Zoti e bekoi ketë martesë me shtatë fëmijë.
Si mbeti e vejë, Gjovana nisi të ndjente gjithnjë më tepër nevojën të largohej nga
bota e t’i kushtohej plotësisht Zotit e kështu ia besoi veten Zemrës së Krishtit,
duke e shkruar emrin e Zotit në kraharorin e vet, pranë zemrës, me hekur të skuqur.
Nën udhëheqjen shpirtërore të Shën Françeskut të Sales, themeloi bashkëvëllazërinë
e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta. Bijat e saj rregulltare njihen me
emrin Vizitantinet. Vdiq në kuvendin që kishte ngritur vetë, në Moulë të Borgonjës,
më 13 dhjetor 1641. Para se të vdiste, kishte arritur të themelonte 75 shtëpi, shumë
prej të cilave vijojnë edhe sot të strehojnë “Engjëjt e bardhë” të spitaleve, që shërbejnë
ditë-natë tek koka e njerëzve të sëmurë, të varfër e të vetmuar. Kujtojmë se ishte
gjyshja e Mari de Rabutë-Shantal, markezë dë Sévinjé, autore e veprës së famshme ‘Lettres’,
që zë një vend të rëndësishëm në letërsinë epistulare franceze. Njeriu që ushqehet
vazhdimisht me fjalën e Zotit, bëhet i përvujtë e i dëgjueshëm, si fëmijët: prandaj
Ati qiellor nuk e lëshon kurrë dore, e ruan, e ushqen e ia mbush shpirtin me gëzimin,
që vetëm Ai di ta japë. Ky reflektim buron pikërisht nga liturgjia e festës së Shën
Gjovana Françeska Shantal, rregulltare.