2013-08-12 13:47:17

Jeta garanton të ardhmen: mesazhi i Papës për Javën e Familjes në Brazil


Jeta e njeriut duhet mbrojtur gjithmonë, që nga zënia: edhe një herë, Papa Françesku i kthehet një teme shumë të rëndësishme për Kishën Katolike. E bën këtë në mesazhin për Javën e Familjes, që u hap dje në Brazil. Pavarësisht se ajo ka karakter kombëtar, tema - “Transmetimi dhe edukimi i fesë së krishterë në familje” - ka frymëmarrje të gjerë dhe prek jetën e gjithë katolikëve.
Duke kujtuar ditët e bukura kaluar me rininë e mbarë botës në Rio-de-Zhanejro, Papa Françesku u drejtohet prindërve, të cilët – nënvizon Ati i Shenjtë – kanë misionin fisnik për të qenë bashkëpunëtorët e parë të Zotit në orientimin e jetës dhe të së ardhmes të fëmijëve. Ata, këshillon Papa, duhet të synojnë në praktikimin e përbashkët të fesë në familje. Vetëm kështu mund t’i shoqërojnë vërtet fëmijët drejt pjekurisë fetare. “Prindërit – thuhet në mesazh – duhet të tansmetojnë me fjalë, por sidomos me vepra, të vërtetat themelore për jetën e dashurinë njerëzore, të cilat marrin dritë të re nga Zbulesa Hyjnore”.
“Veçanërisht, para kulturës, që e bën relative jetën e njeriut – vazhdon Papa – prindërit duhet t’u transmetojnë fëmijëve vetëdijen se ajo duhet mbrojtur, që nga kraharori i nënës, duke kuptuar se është dhuratë e Zotit e garanci për të ardhmen e njerëzimit”. Por, thekson Ati i Shenjtë, është i rëndësishëm edhe kujdesi për të moshuarit, sidomos për gjyshërit, që janë kujtesa e gjallë e një populli e që transmetojnë urtinë e jetës. Së fundi, duke iu lutur Zojës së Aparesidës, Papa Françesku uron që familjet të jenë dëshmitare më bindëse të bukurisë së dashurisë bashkëshortore, mbështetur e ushqyer nga feja.







All the contents on this site are copyrighted ©.