2013-08-11 17:22:23

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: dashuria e Zotit është thesari jonë i vërtetë


“Thesari i vërtet i njeriut që e mban të bashkuar familjen, që i jep kuptim jetës e që na ndihmon t’i përballojmë vështirësitë është Dashuria e Zotit”. Kështu tha sot mes tjerash Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke komentuar pjesën Ungjillore të liturgjisë së dielës së 19-të gjatë vitit kishtar. Ati i Shenjtë Bergoglio u ndal mbi pjesën e Ungjillit të së dielës që na flet për Jezusin në udhëtim me dishepujt e vet drejt Jerusalemit, “drejt Pashkës së tij të vdekjes e të ringjalljes”. Në këtë udhëtim, vëren Papa Françesku, Jezusi i edukon dishepujt “duke u besuar atyre atë që Ai vetë ka dhe bartë në zemër, qëndrimet e thella të shpirtit të tij”. Ky Ungjill, shtoi Papa, “don të na thotë se i krishteri është person që ka brenda vetes një dëshirë të madhe, të thellë”: të takohet me Zotin.
Zemra që dëshiron, zemra që ka etje.....Po të gjithë ne kemi një dëshirë! Të mjerë janë ata njerëz që nuk kanë dëshirë! Dëshira për të ecur përpara, drejt horizontit apo cakut, e për ne të krishterët ky horizont, ky cak është takimi me Jezusin, takimi pikërisht me Të, që është jeta jonë, gëzimi ynë, ai që na bënë të lumtur”.
Papa Françesku në vijim u bëri besimtarëve dy pyetje: para se gjithash nëse kemi “zemër të etur, zemër plot dëshirë”:
Ti a ke zemër që dëshiron, zemër që ka etje, apo ke zemër të mbyllur, zemër të fjetur, zemër të anestetizuar për gjëra të jetës? Dëshira: të ecësh përpara në takim me Jezusin. E, pyetja dytë: ku është thesari yt, ai që ti dëshiron? Sepse Jezusi na ka thënë: ‘Ku është thesari juaj, aty do të jetë zemra juaj’ – e unë pyes: ‘Ku është thesari yt? Për ty cili është realiteti më i rëndësishëm, më i çmuar, realiteti që e josh zemrën time si magneti?”.
Çka e josh zemrën tonë, pyeti akoma Papa: “A mund të them se është dashuria e Zotit? A mos ndoshta është vullneti për t’u bërë mirë të tjerëve? Për të jetuar për Zotin e për vëllezërit tanë?”:
Po ndokush mund të më thotë: Atë, po unë jam një njeri që punon, që ka familje, për mua realiteti më i rëndësishëm është çuarja përpara e familjes sime, puna...Sigurisht, është e vërtet, e gjithë kjo është e rëndësishme. Po cila është forca që e mban të bashkuar familjen? Është pikërisht dashuria, e kush mbjell dashuri në zemër tonë është Zoti, dashuria e Zotit: është pikërisht dashuria e Zotit që i jep kuptim angazhimeve të vogla të përditshme e na ndihmon në përballimin e vështirësive të mëdha. Ky është thesari i vërtetë i njeriut. Të shkosh përpara në jetë me dashuri, me atë dashuri që Zoti e ka mbjell në zemër, me dashuri të Hyjit. Në këtë pik, këtu pra e kemi thesarin e vërtetë”.
Dashuria e Zotit, nënvizoi në vazhdim Papa Françesku, “nuk është diçka e vagullt, ndjenjë e përgjithshme; dashuria e Zoti ka emër e fytyrë: është Jezusi Krishti”:
Dashuria e Zotit shfaqet në Jezusin. Sepse ne nuk mund ta duam ajrin...A e duam ajrin? A i duam të gjithë? Jo, nuk është e mundur! Duam persona, e njeriu të cilin ne e duam është Jezusi, dhuratë e Zotit ndër ne. Është dashuria që i jep vlerë e bukuri çdo gjëje tjetër; një dashuri që i jep forcë familjes, punës, studimit, miqësisë, artit, çdo veprimtarie njerëzore”.
Është dashuria, shtoi Papa, që “i jep kuptim edhe përjetimeve negative, sepse kjo dashuri, na mundëson të shkojmë përtej këtyre eksperiencave”, “të mos mbetemi rob të së keqes, por na ndihmon të kalojmë përtej, na hap gjithmonë ndaj shpresës së re”.
Ja, dashuria e Zotit në Jezusin na bënë të shpresojmë gjithmonë, na orienton drejt horizontit të shpresës, drejt horizontit përfundimtar të shtegtimit tonë. Kështu edhe mundimet e dështimet tona gjejmë një farë kuptimi. Në dashurinë e Zoti edhe mëkatet tona gjejnë një kuptim, sepse kjo dashuri e Zotit në Jezu Krishtin na fal përherë, na do aq shumë sa që na fal gjithmonë”.
Papa Françesku në vijim e kujtoi festën e sotme të Shën Kjares, e cila, kujtoi, duke ecur gjurmëve të Shën Françeskut të Asizit “la gjithçka për t’iu përkushtuar Krishtit në varfëri”:
“Shën Kjara na jep një dëshmi shumë të bukur të këtij Ungjilli të sotëm: na ndihmoftë ajo, së bashku me Virgjërën Mari, ta jetojmë edhe ne porosinë ungjillore, çdonjëri sipas thirrjes personale”.
Së fundi, Papa kujtoi festën e Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, të cilën e kremtojmë të enjten e ardhshme. “Të mendojmë në Nënën tonë që mbërrini në Qiell me Jezusin – tha Ati i Shenjtë Bergoglio – e atë ditë do të festojmë për Të”.







All the contents on this site are copyrighted ©.