Vizitë e papritur e Papës Françesku në zonën industriale vatikanase. Dëshmia e një
punëtori të Centralit elektrik
Papa Françesku vizitoi, sot paradite, papritur, zonën industriale të Qytetit të Vatikanit.
Përshëndeti, në mënyrë të veçantë, punëtorët e zdrukthëtarisë dhe të centralit elektrik
vatikanas, hekurpunuesit dhe laboratorin hidraulik. Merreni me mend sa u gëzuan këta
njerëz të thjeshtë, kur panë, papritmas, pranë tyre, vetë Papën, me të cilin mundën
të bisedojnë krejt lirisht, ashtu si bisedohet me një mik e dashamir. Të dëgjojmë
dëshminë e Aleksandër de Gregorit, kontrollor i lëvizjeve të kuadrit, në
Centralin elektrik:
Përgjigje: - Po bisedonim me kolegët,
këtu, në repartin, ku punojmë 24 orë rresht, prandaj e mbulojmë gjithë ditën, kur
pamë një makinë, një C1, që po na afrohej. Nuk u besuam syve e dikush tha “Si është
e mundur? Po më duket si Papa!”. Ishte vërtet Papa, i shoqëruar nga Marioti. Na bëri
një vizitë, që e dëshironim aq shumë, në qendrën tonë. Kuptohet, e pritëm me krahë
hapur…. Kam dhjetë vjet, që punoj këtu, por një gjë e tillë nuk më ka ndodhur kurrë.
Ishte tepër emocionuese ta takoje Papën krejt, papritur. Them kështu, sepse nuk është
takimi i parë. Të gjithë punonjësit e kemi takuar gjatë njërës nga meshët, kremtuar
në Shtëpinë e Shën Martës. Po ky takim sy për sy ishte diçka tjetër. Ishte vërtet
një e papritur e gëzueshme.
Pyetje: - Si ndjehej Papa mes jush?
E shprehu gëzimin, që po vinte ai tek ju?
Përgjigje: - Po,
e ishte diçka, që më pëlqeu shumë: erdhi ai mes nesh, e jo e kundërta.
Pyetje:
- Bisedoi ndonjëri me të, apo thjesht i shtrënguat dorën?
Përgjigje:
- Papa ndenji mes nesh rreth pesë minuta, sepse repartet, që do të vizitone,
ishin shumë. Na pyeti për detyrat tona, për profesionin tonë. Iu përgjigjem me gëzimin
e atij, që jeton një ngarje të papritur, të paharrueshme.