Shën Kiara e Asizit, virgjër e themeluese e klariseve
Kisha Katolike përkujton të dielën shën Kiarën e Asizit, virgjër, themeluese e klariseve. Ishte
vetëm 12 vjeç Kjara, lindur më 1194 në familjen e pasur fisnike të Ofreduçëve, kur
Françesku i Asizit zhvishet nga të gjitha rrobat e nga gjithçka kishte për t’ia kthyer
të atit, Bernardonit. Ky shembull i shenjtit të ardhshëm do t’ia fitonte zemrën e
shtatë vjet më vonë, në një mbrëmje të bukur Pashkësh, Kiara e re ikën nga shtëpia
për t’u bashkuar me të në Porciunkola. Shenjti i pret flokët dhe i vesh thesin e françeskanëve,
për ta çuar më pas në kuvendin benedektin të Shën Palit, në Bastia Umbria, ku i ati
u përpoq më kot ta bindte të kthehej në shtëpi. Kiara strehohet në ndërtesën e vogël
pranë Kishës së Shën Damianit, ringritur nga Shën Françesku, ku themelon Urdhërin
femëror të “vetmitareve të varfëra”, që më vonë do të quheshin klarise. Me të u bashkuan
fillimisht motrat, pastaj shoqet e shumë të tjera, duke arritur menjëherë në 50 vetë.
Më vonë, do të hynte murgeshë edhe e ëma, Ortolana. Kiara qe abatesha e parë e
urdhërit, për të cilin shën Françesku hartoi Rregullën e parë. Më vonë, ishte vetë
Kiara, që shkroi Rregullën përfundimtare, duke i kërkuar e duke nxjerrë nga Papa Gregori
IX të ashtuquajturin “privilegj të varfërisë”. Privilegj, sepse Papës iu dukën tepër
të ashpra rregullat e varfërisë së Shën Kiarës dhe deshi t’ia lehtësonte, por abatesha
e re nuk pranoi e Papa u detyrua t’ia lejonte këtë “privilegj”. Shën Kiara dëshironte
që secila prej vetmitareve të veta të ishte e varfër e të ishte i tillë edhe kuvendi,
të jetonin me punën e tyre e me ndonjë ndihmë nga françeskanët, por sidomos të luteshin
për të gjithë, t’u shërbenin të gjithëve e të shqetësoheshin për të gjithë. “Privilegji
i varfërisë” u miratua përfundimisht nga Papa Inoçenci IV me një bulë solemne papnore
në vitin 1253, që iu dha shën Kiarës pak ditë para vdekjes. Kur ishte e sëmurë
(praktikisht gjysmën e jetës e kaloi me probleme shëndeti), nuk mundi të merrte pjesë
në meshën e Natës së Krishtlindjes, kremtuar nga Shën Françesku në kishën pranë. Tregohet
se në muret e qelës së saj u duk betlehemi dhe ritet e funskionit solemn, që po kremtoheshin
në kishën e Shën Marisë së Engjëjve. Për këtë, Papa Piu XII e zgjodhi si Pajtore të
televizionit. E mbrutjur me frymën françeskane, që e ka qendrën në Eukaristi,
u kujdes ta përhapte këtë përshpirtëri edhe pas vdekjes së shën Françeskut në vitin
1226. Në vitin 1243, ajo e shpëtoi kuvendin nga sulmi i saraçenëve, duke u treguar
nga dritarja ostensorin me Osten Shenjte, që i verboi armiqtë, të cilët u larguan
të frikësuar. Dy vjet pas vdekjes, Papa Aleksandri IV e shpalli shenjte të Kishës.