Papa Kalorësve të Kolombos: mbrojeni trashëgiminë e së vërtetës së Ungjillit
“Në Vitin e Fesë, çdo Kalorës i Kolombos ta ndezë përsëri dritën e fesë, me lutje
vetjake, katekizëm e vepra dashurie të krishterë”. Këtë ftesë të Papës Françesku e
lexojmë në një Mesazh, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit
të Vatikanit, drejtuar organizatës së lashtë katolike amerikane, themeluar në shekullin
e 19-të, që aktualisht numëron 1 milion e 800 mijë anëtarë. Mesazhi kujton takimin
e 131-të të Kalorësve, që përfundoi dje, pas dy ditë punimesh, në Sant Antonio të
Teksas (SHBA). Frymëzohet nga një pohim i Papës, në Meshën e kremtuar për fillimin
e papnisë: “Sa shkretëtira duhet të përshkojë njeriu, edhe sot e kësaj dite, pati
thënë Ati i Shenjtë. Posaçërisht, shkretëtirën që ka në shpirt, kur mungon dashuria
për Zotin e për të afërmin e kujdesi i vetëdijshëm për dhuratat, që Krijuesi na i
dha e vijon të na i japë. Po mëshira e Zotit mund ta bëjë të lulëzojë edhe tokën më
shterpë, mund t’u japë jetë edhe eshtrave të thata”. I vetëdijshëm për përgjegjësinë
e veçantë, që kanë shkullarët në misionin e Kishës, Papa, lexohet në mesazh, e fton
çdo kalorës e çdo Këshill, ta dëshmojë natyrën e vërtetë të martesës e të familjes,
shenjtërinë dhe dinjitetin e paprekshëm të jetës, bukurinë dhe vërtetësinë e seksualitetit
njerëzor”. Në këtë kohë ndryshimesh të stuhishme shoqërore e kulturore, vijon teksti,
mbrojtja e dhuratave të Hyjit nuk mund të mos e përfshijë pohimin dhe mbrojtjen e
trashëgimisë së madhe të të vërtetave morale, të mësuara nga Ungjilli e të vërtetuara
nga arsyeja e shëndoshë, që shërbejnë si themel i shoqërisë dhe i rendit të drejtë. Prandaj
Papa shpreh edhe një herë vlerësimin e tij për dëshminë e qartë publike, që japin
Kalorësit e Kolombos në mbrojtjen e të drejtave e të detyrave të besimtarëve për të
marrë pjesë me përgjegjësi, mbi bazën e bindjeve të tyre më të thella, në jetën e
shoqërisë. Në Vitin e Fesë, përfundon Mesazhi, Papa Françesku u kërkon Kalorësve
ta rindezin me lutje personale, katekizëm e vepra dashurie të krishterë, dritën e
fesë – lumen fidei – që na i zgjeron horizontet, na i hap zemrat për dashurinë
e Zotit e na i shpejton hapat tanë si individë, familje e kombe, në udhën e gjatë
e të bukur të shpresës, në të cilën na prin gjithnjë Zoti, ne e mbarë historisë njerëzore.