2013-08-09 18:18:35

Dita e Paqes 2014. Imzot Xhudiçi: të globalizohet vëllazërimi


“Vëllazërimi, themel e rrugë për paqen”: kjo do të jetë tema e Ditës së ardhshme Botërore të Paqes, e para, që do të kremtohet nga Papa Françesku, më 1 janar 2014. I kërkuam presidentit të organizatës kishtare “Pax Christi”, imzot Xhovani Xhudiçi, të reflektojë mbi këtë temë së bashku me ne, duke u nisur nga familja, vatra ku provojmë formën e parë të vëllazërimit:
Kap një aspekt të përbashkët për të gjithë ne: të gjithë kemi përvojën e vëllazërimit, në kuptimin se të gjithë rritemi në familje, prandaj e dimë ç’është një vëlla o një motër. Kjo na ndihmon pastaj, sigurisht, për ta shfrytëzuar këtë përvojë që të zgjidhim problemet e jetës.
Nganjëherë e harrojmë këtë…
Po, të themi se ka aspekte, që nuk arrijmë t’i zbatojmë konkretisht në jetë. Nganjëherë e konsiderojmë vëllazërimin normal e prandaj, e shndërrojmë në send, që e pretendojmë nga të tjerët, por nuk ua dhurojmë atyre. Natyrisht, e gjithë kjo ka të bëjë me paqen, sepse vëllazërimi – ai, që vërtet ndihmon në arritjen e paqes - duhet bazuar në përvojën tonë të brishtë, në pasurinë e çdo takimi me dikë, krejtësisht të ndryshëm nga ne, por vëlla, motër. E kjo përvojë na ndihmon të jetojmë. Pastaj, kjo lloj barazie, që na jep vëllazërimi, duhet thelluar, duhet spastruar, duhet shndërruar në veprim.
A mund të themi se mirëqënia na bën ta humbim disi këtë ndjenjë përgjegjësie për tjetrin, këto marrëdhënie vëllazërore me të?
Sigurisht. Pasuria zgjon sidomos shqetësimin për ta ruajtur atë e krijon një lloj antagonizmi me të tjerët, si kur kanë më shumë, ose më pak, ashtu edhe se na duket sikur duan të na rrëmbejnë pasurinë tonë. Mendoj se mirëqënia nxit indiferencën për të tjerët. I pasuri nuk e kupton se edhe ai mund të bjerë një ditë dhe nuk e shikon, nuk e kupton barkboshin. E pastaj, fatkeqësisht, e gjithë kjo kthehet në ndjenjë, nganjëherë, edhe shoqërore. E kështu, kemi frikë nga të huajt, nga ata, që vishen ndryshe e që duken ndryshe nga ne. Pasuria më shtyn të mos kem nevojë për të tjerët, por më bën edhe të paaftë ta mirëpres tjetrin, që arrin në vendin tim si nevojtar.
Si mund të globalizohet atëherë vëllazërimi e jo indiferenca, siç ka thënë shpesh Papa Françesku?
E globalizojmë vëllazërimin, kur edukohemi të mendojmë se pikërisht, sepse jemi të gjithë vëllezër, bij të Zotit, të mirat që gëzojmë në këtë tokë janë të të gjithëve. Në këtë drejtim, përvoja fetare, veçanërisht ajo e krishterë, por edhe e çdo feje tjetër, ndihmon në globalizimin e vëllazërimit. Ndihmon edhe një farë pjekurie njerëzore, që mund ta arrijmë duke parë përreth e edhe më larg – sidomos ne evropianët – duke e hedhur vështrimin jashtë jetës sonë shoqërore, larg hundës sonë. E së treti, duhet ta eksperimentojmë këtë lloj sjelljeje përmes strukturave politike e shoqërore. Një vend është pak a shumë i aftë për vëllazërim, kur edhe të zgjedhurit, politikanët që përfaqësojnë qytetarët, janë në gjendje ta jetojnë temën e vëllazërimit me vendosmëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.