Çelësi i fjalëve të Kishës: dekreti konciliar "Optatam Totius"
Në emisionet tona, kushtuar Koncilit II të Vatikanit, kemi folur tashmë për atmosferën
në të cilën u mblodh ai, për dëshirën përtëritëse që ndjehej në Kishën Katolike, për
katër kushtetutat e për disa nga dekretet konciliare, të cilat, gjithsej, janë nëntë.
Sot, do të përvijojmë së bashku përmbajtjen e dekretit “Optatam Totius”, i
cili flet për temën e formimit meshtarak. Përtëritja, që Koncili II i Vatikanit
e dëshironte për të gjithë Kishën, varet kryesisht nga shërbimi meshtarak e nga mënyra
si e kuptojnë këtë shërbim të shuguruarit e Zotit, pra priftërinjtë. Qe kjo arsyeja,
që i shtyu etërit konciliarë të vinin dorë në formimin meshtarak, sidomos në punën
e bërë me kandidatët për meshtarë nëpër seminare. Që në fazën përgatitore, për këtë
temë u bënë 557 propozime. Pas hartimit të skemave e ideve për një kushtetutë, ku
të përfshiheshin direktivat për formimin e seminaristëve, e pas diskutimeve të shumta,
u arrit në miratimin e dekretit “Optatam Totius”, më 28 tetor 1965, me 2318 vota pro
e vetëm tre kundër. Siç dihet, titulli i dekretit merret nga fjalët e para të tekstit,
të cilat pasohen nga “Ecclesiae renovationem”, prandaj përkthimi në shqip, duke marrë
parasysh krejt frazën do të ishte: (përtëritja) e dëshiruar e të gjithë (Kishës). Ky
dekret përcakton vijat e përgjithshme, në hullinë e të cilave duhet të ecë formimi
i meshtarit të ardhshëm, që nga thirrja tek rruga e gjatë shpirtërore, intelektuale
e baritore, e deri tek vitet e para të shërbimit meshtarak, pas shugurimit. “Optatam
Totius” ka disa karakteristika, që mund të përmblidhen kështu: Së pari, në të
ndihet një ekuilibër, që shmang çdo lloj ekstremizmi, me qëllim që të pajtoheshin
qëndrimet e tradicionalistëve me të atyre, që kërkonin reforma rrënjësore në seminare,
për t’ia përshtatur formimin meshtarak botës moderne, në shndërrim të vazhdueshëm.
Në dekret përfshihet vërtet çdo gjë e mirë, që kontribuoi, gjatë historisë, në formimin
e meshtarëve shenjt, por njëkohësisht, hapet edhe udha drejt një zhvillimi me etapa
në formimin e klerit. Karakteristika e dytë e “Optatam Totius” është përshtatshmëria
e tij, vërtet e rëndësishme, kur diskutohej për nevojat e ndryshme të Kishave
të veçanta, në vende e kultura të ndryshme nga njëra-tjetra. Pikërisht në paragrafin
e parë të dekretit, etërit konciliarë u kërkojnë Konferencave Ipeshkvnore të çdo vendi
të hartojnë një Rregullore për formimin meshtarak, e cila duhej rishikuar herë pas
here e duhej miratuar nga Selia Apostolike. Vërtet, i takon Selisë së Shenjtë të vendosë
për zhvillimin në kohë të formimit meshtarak, duke pasur parasysh përvojat më të mira
të së kaluarës, e cila nuk mund të harrohet në asnjë mënyrë. Fatkeqësisht, historia
pas-konciliare provoi se mungesa e kthimit të traditës në trashëgimi të sistemuar,
nuk u dha mundësi hipotezave të reja të bazoheshin në një terren më të qëndrueshëm.
Kjo ndikoi për keq në formimin e kandidatëve për meshtar. Dozimi i duhur ndërmjet
traditës e risisë është rruga kryesore e zhvillimit të Kishës, e cila nuk duhet braktisur
kurrë. Një karakteristikë tjetër e veçantë e “Optatam Totius” është parashikimi
i pjesëmarrjes më aktive të studentëve në formimin e tyre shpirtëror, intelektual
e baritor, duke pasur gjithnjë parasysh arritjen e një ekuilibri psikik, që ta bënte
formimin të harmonishëm e gjithëpërfshirës. Në kandidatin për meshtar vepron Shpirti
Shenjt dhe eprorët e mësuesit, por, thekson dekreti, është seminaristi ai, që me përgjegjësi,
duhet të punojë për arritjen e idealit meshtarak, të cilit dëshiron t’i kushtojë lirisht
jetën. E kjo vlen edhe për formimin intelektual e baritor, ashtu siç theksohet
në paragrafin V e VI të “Optatam Totius”. Bagazhi kulturor i meshtarit duhet të jetë
në lartësinë e nivelit më të mirë bashkohor, nënvizojnë etërit konciliarë. Më pas,
seminaristët nxiten drejt apostullimit, që në vitet e formimit, pasi kjo e bën meshtarin
e ardhshëm ta njohë më mirë grigjën e vet dhe të mësojë si ta përdorë realizmin, urtësinë
e durimin me përvuajtëri. Karakteristika e katërt e dekretit është qëllimi baritor
i krejt formimit meshtarak. Duhen përgatitur barinj shpirtrash, që imitojnë Jezusin,
Bariun e Mirë, i cili dha jetën për botën. Ky qëllim duhet të jetë boshti i krejt
formimit të seminaristëve. Nga ana tjetër, “Optatam Totius” thekson se formimi i meshtarëve
nuk mund të përfundojë së bashku me seminarin. Janë Konferencat Ipershkvnore të çdo
vendi, nënvizohet në dekret, që duhet të studiojnë mjetet më të përshtatshme për vazhdimin
e formimit të çdo prifti. Direktivat e tij në këtë drejtim zbatohen në atë, që sot
quhet “formimi i përhershëm i presbiterëve”.