2013-08-07 13:53:51

Videomesazh i Papës për festën e Shën Kajetanos (Gajtanit) në Buenos Ajres


Besimtarët katolikë në Buenos Ajres e kaluan natën e djeshme në radhë, në pritje për të prekur sadopak shtatoren e vogël të Shën Gajtanit nga Tienws, i njohur si San Cayetano, shenjti më popullor i Argjentinës, nderuar veçanërisht nga punëtorët, Pajtor i bukës dhe i punës. Si çdo 7 gusht, me mijëra festuan kujtimin liturgjik të shenjtit, duke medituar mbi temën e festës, e cila këtë vit ishte “Me Jezusin e Shën Gajtanin të takojmë më nevojtarët”. Morën pjesë në Meshën e kremtuar nga imzot Mario Aurelio Poli, kryeipeshkëv i kryeqytetit argjentinas. Krah tyre, deri vitin e kaluar, ishte kardinali Bergolio, i cili, pasi kremtonte meshën, e përshkonte radhën në të kundërt për të dëgjuar historitë e njerëzve e për t’u bekuar fëmijët. Megjithëse mijëra kilometra larg, Papa aktual nuk e harroi takimin e përvitshëm e sot, iu drejtua besimtarëve me një videomesazh, i cili, që nga mesnata argjentinase, transmetohet vazhdimisht në televizion katolik të Buenos Ajresit (Canal 21) e në monitoret e mëdhenj të shenjtërores. Ja çfarë u tha Papa Françesku:
“Kësaj here, radhën e bëra me zemër. Jam paksa larg e nuk mund ta ndaj me ju këtë çast kaq të bukur. Tani ju po shkoni drejt shtatores së shën Gajtanit. Për ç’arsye? Për t’u takuar me të, domethënë për t’u takuar me Jezusin”.
Papa Françesku flet më pas për temën e këtij shtegtimi, e cila vë theksin pikërisht në takimin me Jezusin e me Shën Gajtanin, përmes nevojtarëve, përmes atyre, që kanë nevojë për ndihmë, për një vështrim plot dashuri, kanë nevojë që dikush t’ua kuptojë dhimbjen e ankthin e t’u japë dorën në zgjidhjen e problemeve:
“Por gjëja më e rëndësishme nuk është t’i shohësh nga larg e t’i ndihmosh nga larg. Jo, jo! Duhet t’i prekësh me dorë. Ky është i krishteri. Këtë na mëson Jezusi: t’i prekim me dorë nevojtarët. Ashtu si Jezusi, që takohej gjithnjë me njerëzit. Shkonte dhe i takonte. T’i takojmë edhe ne nevojtarët”.
Në mesazh, Papa Françesku na mëson ç’do të thotë të japësh lëmoshë. Nuk është fjala për të hedhur një monedhë në dorën e ndokujt, pa e parë në sy e pa e prekur me dorë, pasi kjo nuk do të thotë takim. Ati i Shenjtë kërkon të krijohet e t’i qëndrojë kohës kultura e takimit:
“Sa mosmarrëveshje, sa vështirësi në familje, gjithmonë! Telashe në lagje, në punë, telashe kudo. E mosmarrëveshjet nuk ndihmojnë”.
Të takohesh me më nevojtarët, vazhdon Papa në videomesazhin për festën e shën Gajtanit, do të thotë të takohesh me dikë, që po kalon një çast të vështirë, që është më keq se ne vetë, sepse ka gjithnjë nga ata, që jetojnë më keq se ne. E pas takimit me Jezusin e me Shën Gajtanin - përmend edhe një herë temën Ati i Shenjtë - duhet të shkojmë pikërisht drejt tyre. Në përfundim, Papa Françesku falenderon besimtarët dhe u kërkon të takohen me nevojtarët, jo për t’i bindur të bëhen katolikë, por për t’i ndihmuar. Gjithçka tjetër është detyrë e Krishtit dhe e Shpirtit Shenjt:
“Zemra jote, kur takon nevojtarin, fillon të zmadhohet e të zmadhohet e të zmadhohet! Sepse takimi e shumëfishon aftësinë për dashuri. Takimi me tjetrin e bën zemrën të madhe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.