2013-08-07 17:17:16

Qeveria egjiptiane lajmëron dështimin e ndërmjetësimit ndërkombëtar


Gjendje kritike në Egjipt, ku dështoi mundësia e ndërmjetësimit ndërkombëtar, nën udhëheqjen e SHBA-ve, që duhej të synonte fundin e krizës politike në vend. Lajmi jepet nga vetë qeveria e Kajros, e cila, në një notë, shpjegon se përkrahësit e ish-presidentit Morsi nuk u morën vesh me kundërshtarët e tij, aktualisht në pushtet. Nga njëra anë, qeveria denoncon se partia e Vëllezërve Myslianë ka organizuar protesta aspak paqësore, nga ana tjetër, opozita lajmëron se demonstruesit nuk do të largohen nga sheshet deri në kthimin e Morsit në presidencë e në rivendosjen e Kushtetutës. Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Torinos, Luigji Bonanate, shpjegon në mikrofonin tonë, cilët janë skenarët e mundshëm në Egjipt:
Janë kaq të shumtë, sa është e pamundur të kuptohet gjë. Besonim se me Morsin, ishte arritur një farë qëndrueshmërie, e cila i vinte fre edhe shqetësimit, që ndjenim nga ardhja në fuqi e partisë së Vëllezërve Myslimanë. Pastaj, puçi kundër Morsit, i cili, duke kundërshtuar më fuqishëm Vëllezërit Myslimanë, nxiti aktivizimin më të madh të tyre. Pyetja, që i bëj vetes vazhdimisht, është: “A jemi marrë me kujdes e vëmendje, vitet e fundit, me të gjitha këto probleme, apo i kemi parë nga dritarja këto ‘Pranvera Arabe’ me kënaqësi, por edhe me ironi?”.
Dështimi i SHBA-ve hedh dyshime edhe mbi rolin e ndërmjetësuesit, që Egjipti e ka luajtur gjithmonë në Lindjen e Mesme…
Pikërisht, ky është problemi: SHBA-të janë ndërmjetësues për Perëndimin. Egjipti konsiderohej ndërmjetësues për Lindjen e Mesme, madje, duhej të shërbente si i tillë edhe për çështjen izraelito-palestineze. Pastaj, kishim Sirinë, që duhej të kryente rolin e ndërmjetësuesit mes Irakut e vendeve të tjera. Ndoshta, aty gabuam. Nëse lufta siriane përhapet në Egjipt, kjo do t’i vinte zjarrin krejt Lindjes së Mesme. Nuk ka hipotezë më të frikshme se kjo.







All the contents on this site are copyrighted ©.