2013-08-07 17:15:59

Papa inkurajon shtegtarët e rinj breshanë; gëzimi buron nga jeta e jetuar plotësisht


Dje pasdite Papa Françesku zbriti në Kriptën e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, për t’u lutur pranë varrit të Palit VI, në 35 vjetorin e vdekjes. Më pas u takua me një grup të rinjsh nga dioqeza e Breshas, në shtegtim vokacional. Të rinjtë sapo kishin arritur në Romë nga Poxhio Bustone, provinca e Rietit, pasi kishin përshkuar në këmbë 140 kilometra, për një javë të tërë, duke ndjekur rrugën Francigjene, për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së bashkëqytetarit të tyre, Papës Montini. U printe don Alesandro Tuçinardi, drejtor i Zyrës së përshpirtërisë dhe thirrjeve meshtarake, në dioqezën e Breshas. Në mikrofonin tonë, flet për takimin e papritur me Papën:

Përgjigje: - Po, ishte takim i papritur: prej kohe donim ta takonim; na u krijua mundësia për të marrë pjesë në një audiencë, por pastaj gjithçka u ndërpre. Atëherë iu lutëm Provanisë të na ndihmojë me mjete krejt të thjeshta e të zakonshme. Papa e mori vesh, e deshi të na takonte.

Pyetje: - Ku u zhvillua ky takim?

Përgjigje: - Ishim të gjithë në Meshë për përvjetorin e vdekjes së Palit VI, në Shën Pjetër. Dolëm në oborr, përballë Shtëpisë së Shën Martës, e aty e takuam Atin e Shenjtë, që na priti me kënaqësi, sepse i pëlqen shumë e gjithnjë, të takohet me të rinjtë. Të rinjtë i kujtuan disa nga mesazhet e tij të DBR-së. I dhuruam një mbajtëse kripe, mbasi ai vetë na ka kujtuar se përtëritja e Kishës niset nga të rinjtë; se çdo i ri duhet t’i shtjerë kripë, domethënë fe, shpresë e dashuri, jetës së çdo dite.

Pyetje: - Fjalët, që ju drejtoi Papa?

Përgjigje: - Na tha fjalë inkurajimi. Na kujtoi se nuk duhet ta shikojmë jetën si lojë, sepse e jetuar si lojë, jeta bëhet e trishtuar. Duhet ta jetojmë në mënyrë të plotë e serioze, mbasi kjo mënyrë jetese të mbush me gëzim. I ftoi të rinjtë të jenë të përgjegjshëm. E i bekoi një për një, duke gjetur për secilin një fjalë të mirë, lidhur me thirrjet e larmishme të këtyre të rinjve. Nuk mund të mos theksoj se ky takim ndezi në zemrat e të rinjve dëshirën për të qenë, në gjirin e bashkëmoshtarëve, kumtues të këtij gëzimi i cili, siç na kujton Pali VI, buron nga zbulimi i një Zoti që, përveçse bukuri e dashuri, është edhe gëzim.








All the contents on this site are copyrighted ©.