Lindi në Viçencë, në gjirin e një familjeje fisnike të Tienës, në vitin 1480. U pagëzua
me emrin Gaetano, në kujtim të xhaxhait të tij të famshëm, që quhej kështu, sepse
i lindur në Gaeta. Si u diplomua në Padovë, në drejtësi, kur ishte vetëm 24 vjeç,
iu kushtua jetës kishtare, por pa u shuguruar meshtar, sepse nuk e ndjente veten të
denjë për një mision kaq të lartë. Pikërisht në këtë kohë, në fermën e familjes, në
Rampaco, ngriti një kishë kushtuar Shën Marisë Magdalenë, që vijon të jetë kisha famullitare
e vendit. Pronoter apostolik i Papës Juli II, nën papninë e Leonit X u largua nga
oborri papnor, për të jetuar në Oratorin e Dashurisë Hyjnore, në lutje e në shërbim
të të varfërve. Njihet si riorganizues i jetës meshtarake e rregulltare, frymëzuar
nga Fjalimi i Malit, sipas modelit të Kishës Apostolike. Në shtator 1516, në moshën
36 vjeçe, pranoi të shugurohet meshtar, por meshën e parë e kremtoi vetëm në Krishtlindjen
e këtij viti, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Në një letër, drejtuar
motrës Laura Minjani, me të cilën e lidhte devocioni bijnor, Gaetano tregon se gjatë
meshës, iu duk Zoja e Bekuar e i lëshoi në krahë Krishtin Fëmijë. Prej këndej, ikonografia. Plot
devocion për djepin e për kryqin e Zotit, themeloi më 1524, së bashku me don Pjetro
Karafën, ipeshkëv i Kietit, më pas, Papa Pali IV (1555-1559), Klerikët Rregulltarë
Teatinë. Veprimtaria e tij shumëformëshe vijoi në Napoli, derisa ndërroi jetë: themeloi
strehë për pleqtë, fuqizoi spitalin për të sëmurët e pashërueshëm, krijoi Bankat
e Mëshirës, nga të cilat, më 1539, lindi Banka e Napolit, Instituti më i fuqishëm
bankar i Italisë së Jugut; edukoi popullin me dëshirën për t’i marrë sakramentet,
i qëndroi tepër pranë, në çaste urie, sëmundjesh epidemike, kryengritjesh të përgjakshme.
Sheshi para Bazilikës së Shën Palit të Madh, por edhe vetë bazilika, për shekuj
seli e urdhërit të treatinëve, tashmë thirren nga të gjithë Sheshi e Bazilika e ‘Shën
Gajtanit’. Në këtë shesh, si në zonat e tjera të Napolit, ngrihet një shtatore
e Shenjtit, që u lumnua më 23 nëntor 1624, nga Papa Urbani VIII e u shenjtërua më
12 prill 1671, nga Papa Klementi X. Për besimin e pakufishëm në Zotin, nderohet
si shenjt i Provanisë Hyjnore.Në Argjentinë, si Pajtor i bukës e i punës!