2013-08-06 15:48:44

Përvoja entuziazmuese e DBR-së rijeton në një libër elektronik të atë Antonio Spadaros


Dita Botërore e Rinisë në Rio-de-Zhanejro ka përfunduar prej ditësh, por festa e madhe e fesë, që përshkoi Brazilin, rijeton tani në faqet e një libri elektronik, shkruar nga drejtori i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”. Në vëllimin prej 74 faqesh, publikuar në faqen e internetit “Cyberteologia.it”, atë Antonio Spadaro përmbledh të gjitha mesazhet e imazhet, që ai vetë pati vendosur në rrjetet shoqërore si Twitter, gjatë ditëve të kaluara në Rio me Papën Françesku e me të rinjtë e gjithë botës. I intervistuar nga Radio Vatikani, atë Spadaro ndalet në përvojën e Ditës Botërore të Rinisë në Brazil:
Përvoja, që jetuam në Rio-de-Zhanejro qe e jashtëzakonshme: entuziazëm i madh, ngjyra, gjallëri, energji e, kjo energji shprehet në tweet-et, në mesazhet në Facebook. Shumë të rinj ndanë kështu me të tjerët ngjarjet që po përjetonin, në mënyrë që në to të merrnin pjesë edhe miqtë, njerëzit e dashur të afërt e të largët. Prandaj, vërtet Dita Botërore e Rinisë u përjetua aty, në plazhin e Kopakabanës, por natyrisht, u përjetua edhe në të gjithë botën, brenda rrjeteve shoqërore e marrëdhënieve njerëzore. Edhe unë ndjeva nevojën – duke i jetuar drejtpërdrejt ngjarjet – t’ua komunikoja të tjerëve ç’po jetoja, prandaj postova imazhe, fjalë, citime të Papës, duke dhënë ndjesitë e gjalla nga ngjarjet. Në fund, vura re se ishte krijuar një lloj ditari e ndoshta, ia vlente t’i mblidhja të gjitha imazhet, përjetimet e t’i sistemoja në formën e kujtimeve, për t’i jetuar edhe një herë ato çaste me njerëzit, që i ndoqën bashkë me mua.
Faqja e Papës në Twitter arriti dhe kapërceu 8 milion ndjekës, pikërisht gjatë Ditës Botërore të Rinisë. Nuk është rastësi, apo jo?
Jo, absolutisht! Madje, do të thosha se Papa e zbuloi vetveten si njeriu, si udhëheqësi botëror më i ndjekur e më me influencë, jo aq për numrin e ndjekësve, sa për aftësinë e ndikimit, pasi shumë njerëz e ripostuan mesazhin e Papës në Twitter e shumë të tjerë e cituan. Prania e tij është jashtëzakonisht fizike – e kemi parë: Papa ishte gjithnjë i pranishëm, me trup mund të themi, në mesin e të rinjve. Por pikërisht kjo u dha mundësi të rinjve ta ndanin këtë përvojë edhe në rrjetet shoqërore e bashkëndarje do të thotë edhe integrim.
Ju e keni përjetuar intensivisht Ditën Botërore të Rinisë në Rio. Çfarë ju bëri më tepër përshtypje ndër të rinjtë, që takuat, si në botën reale, ashtu edhe në atë dixhitale?
Energjia e jashtëzakonshme e popullit brazilian apo latinoamerikan, në përgjithësi, por edhe ajo, që arrijnë të shprehin të rinjtë e gjithë botës. Sigurisht, kjo Ditë Botërore e Rinisë në Amerikën Latine u lidh veçanërisht me “temperaturën shpirtërore” të këtij kontinenti të madh. Më bëri shumë përshtypje pra, kjo energji, për të cilën foli edhe vetë Papa e që duhet të ndërthuret me urtinë. Në fund të fundit, nëse ndjekim fjalët e Papës, kjo Ditë Botërore e Rinisë ishte më shumë një Ditë pakti shoqëror, pra e gjithë shoqëria u bë një, u bashkua, e Ati i Shenjtë tha se të rinj e të moshuar, energjia e urtia duhet të bashkëpunojnë për një botë më të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.