20 vjet pas “Veritatis Splendor”, që shënoi kalimin nga moralizmi në moralitet
Përgjigja për relativizmin moral, marrëdhëniet ndërmjet lirisë së njeriut e ligjit
hyjnor, vlera e ndërgjegjes para Zotit: janë disa nga temat kryesore, që trajtoi i
Lumi Gjon Pali II në Enciklikën “Veritatis Splendor”, të cilën e nënshkroi pikërisht
si sot, më 6 gushtin e 20 vjetëve më parë. Në tekst pohohet se të vërtetat absolute
mund të kuptohen nga çdo njeri, gjë që e ruan aktualitetin e enciklikës edhe sot,
para kulturës, që shpesh, mbron të kundërtën. Ajo përbën një gur kilometrik në udhën
e teologjisë morale katolike e jo vetëm. Shënoi kalimin nga “moralizmi” tek “moraliteti”.
Moralizmi është diçka, që i ka rrënjët në përpjekjet tona, ndërsa moraliteti është
rezultati i shuarjes së etjes në burimin e të vërtetave hyjnore. Përsa i përket të
krishterit, ekziston gjithnjë prirja drejt moralizmit, drejt mbështetjes vetëm në
forcat tona, duke harruar se jemi bërë nga dikush tjetër e morali është shkruar në
kodin gjenetik dhënë secilit prej nesh nga Hyji i Gjithpushtetshëm. Moraliteti i të
krishterëve e ka bazën në Sakramente, pra, janë ato që e ndryshojnë njeriun e jo thjesht,
përpjekjet e tij.