2013-08-05 16:05:55

Sot kardinali Turkson filloi vizitën në Japoni për të përkujtuar viktimat e Hiroshimës e Nagasakit


Do të vijojë pesë ditë, me lutje e veprimtari për paqen, vizita e kardinalit Peter Turkson në Japoni. Kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes u nis për në vendin aziatik me rastin e përkujtimit të bombardimeve atomike mbi Hiroshimën e Nagasakin, në vitin 1945. Vizita e Hirësisë së Tij lidhet me nismën “Dhjetë ditë për paqen”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Japoneze më 6 deri më 15 gusht, në kujtim të viktimave të bombave atomike. Shumë i pasur, programi i kremtimeve, në të cilat do të marrë pjesë edhe kardinali Turkson.
Sot, në Katedralen e Hiroshimës, kardinali Turkson kryesoi Meshën për paqen.
Nesër do të marrë pjesë, së bashku me budistët, shintoistët e protestantët, në një takim ndërfetar, ku edhe do të flasë për bashkëpunimin reciprok, si kusht i domosdoshëm për sigurimin e paqes në botë.
Të mërkurën, kardinali Turkson do të jetë në Nagasaki, për të marrë pjesë në një darkë, shtruar nga Qendra ndërfetare e dialogut për paqen në botë.
Të enjten, pastaj, gjatë një kremtimi përkujtimor ndërfetar, organizuar në Ground-Zero Park të qytetit, kryetari i dikasterit vatikanas për Drejtësinë e Paqen do të kryesojë një lutje për të gjitha viktimat , duke kujtuar posaçërisht ata, që nuk vdiqën, por vijojnë të vuajnë për shkak të pasojave të radioaktivitetit.
Së fundi, më 9 gusht, gjithnjë në Nagasaki, Hirësia e Tij do të kryesojë Meshën Shenjte për paqen në botë.
“Kur Gjon Pali II vizitoi Hiroshimën, në shkurt 1981, njofton një notë e dikasterit të Vatikanit, pati bërë një thirrje të fuqishme për paqen. Papa Vojtila u pati kërkuar gjithë qeveritarëve, gjithë njerëzve të botës e posaçërisht të rinjve, të merrnin një vendim solemn: “Mos lejoni kurrë më luftën e as përdorimin e saj si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet! Bashkohuni, për të krijuar ardhmërinë e re, me paqe e vëllazërim”- ishte thirrja e Gjon Palit II
Duke iu përgjigjur kësaj thirrjeje, ipeshkvijtë e vendit kanë kremtuar vazhdimisht lutje e kanë organizuar shtegtime në çdo dioqezë, për të krijuar frymën e paqes e për t’i inkurajuar besimtarët që jo vetëm të luten për viktimat, por edhe të ripohojnë me forcë se lufta është çmenduri e të bëhen, kështu, veprimtarë të paqes. Konferenca ipeshkvnore japoneze ka botuar këto ditë edhe një mesazh, kushtuar nismës “Dhjetë ditë për paqen”, përqendruar mbi enciklikën ‘Pacem in Terris’ të Gjonit XXIII, tepër aktuale edhe pse kanë kaluar 50-vjet nga botimi (1963).








All the contents on this site are copyrighted ©.