Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: DBR-së nuk janë fishekzjarre, por etapa të një
udhe për përballimin e kotësive të përditshme
Ditët Botërore të Rinisë nuk janë fishekzjarrë” - kështu u shpreh Papa sot, në lutjen
e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, pas kthimit,
të dielën e kaluar, nga Rio-de-Zhanéjro, duke nënvizuar kuptimin e udhës së të rinjve,
që vijon prej kohe, përmes kontinenteve, me Kryqin e Krishtit, për të fituar mbi kotësinë
e së përditshmes. Dhuratë e madhe për Brazilin, për Amerikën Latine e për mbarë
botën. Papa Françesku u kërkoi të gjithëve ta falënderojnë Zotin për DBR-së, kremtuar
në Rio: “Nuk duhet harruar kurrë se DBR-së nuk janë ‘fishekzjarrë’, çaste
entuziazmi e qëllime në vetvete”. Janë etapa të një udhe të gjatë, nisur
më 1985 nga Gjon Pali II e vijuar nga Benedikti XVI. E edhe unë, shtoi Papa, munda
ta jetoj këtë etapë të mrekullueshme në Brazil. Por, sqaroi: “Ta kujtojmë
gjithnjë: të rinjtë nuk ndjekin Papën, ndjekin Jezu Krishtin, duke mbartur kryqin
e Tij”. Papa u prin dhe i shoqëron të rinjtë në këtë udhë feje e shprese.
Pastaj, një falënderim i ngrohtë për të rinjtë, që morën pjesë, edhe me flijime të
mëdha, e mbarë popullin e Brazilit, popull bujar, me zemër të madhe:“Zoti ua
shpërbleftë të gjithë atyre, që punuan për këtë festë feje”.Pastaj, një ndjet
lutjeje, që këta të rinj, të cilët i takoi në Rio, ta kthejnë përvojën e takimit të
madh, në sjellje të përditshme, në zgjedhjen e rrugëve të jetës, duke iu përgjigjur
thirrjes personale të Zotit e duke refuzuar absurditetin për ta ngritur lumturinë
mbi pasjen, siç kujton edhe Ungjilli e së dielës: “Të rinjtë e ndjejnë fort
atmosferën e zbraztësisë së jetës, mungesën e vlerave, që i rrethon shpesh. E, për
fat të keq, me shumë pasoja”. Përkundrazi, takimi me Jezusin
e gjallë, në familjen e Tij të madhe, që është Kisha, ta mbush zemrën me gëzim,
me jetë të vërtetë, me mirësi të thellë. E këto vlera nuk kalojnë, as nuk kalben: “E
pamë këtë në fytyrat e të rinjve në Rio. Por kjo përvojë duhet të përballojë kotësinë
e përditshme, helmin e zbraztësisë, që depërton në shoqëritë tona të bazuara mbi fitimin
e pasjen, të cilat i joshin të rinjtë me konsumizmin”. Pas lutjes mariane,
përshëndetjet drejtuar të pranishmëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit,
pa marrë parasysh vapën e jashtëzakonshme të gushtit: “Ju falënderoj të gjithëve!
Ka shumë të rinj në Shesh! Po më duket si Rio-de Zhanéjro”. E akoma, një
përshëndetje e veçantë: “Përshëndetje Nënës sonë, Shpëtimi i Popujve Romakë.
Të gjithë së bashku, një përshëndetje Nënës”. Më pas një kujtim tjetër
i veçantë, për të gjithë famullitarët e meshtarët e botës, në festën liturgjike të
pajtorit të tyre, Shën Gjon Maria Vianej.