2013-08-03 11:00:30

Shenjtorët javës


E diel 3 gusht, Kisha katolike kremton të dielën e 18-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 4 gusht, bie kujtimi i priftit Famullitar të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i klerit. Ai na mëson se Zoti na ruan, siç bën bariu me grigjën e vet. Jezusi i respekton etapat e misionit të marrë nga Ati: shpall mbretërinë e Hyjit dhe u jep mision dishepujve tua shpallin atë paganëve. Por kur feja hap zemrën e zgjon lutjen e përvuajtur, të gjitha etapat mund të digjen.
Të hënën më 5 gusht, kalendari përkujton shën Emidin, shën Osvaldin e kushtimin e Bazilikës romake të Zojës së Madhe. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Mesia, që Zoti e ka dërguar në popullin e vet, është shërbëtori i Hyjit që shkon drejt vdekjes për të plotësuar misionin e tij të shëlbimit.

Të martën 6 gusht, bie festa e Shndërrimit të Krishtit Zotit . I rrethuar nga Moisiu e Elia, Jezusi duket si mbret-mesi, profet-shërbëtor, biri i njeriut. Me zërin e vet, Hyji njeh Birin para apostujve, duke i përgatitur kështu të kapërcejnë me fe shkandullin e Mundimeve në Kryq.

Të mërkurën, më 7 gusht, kalendari përkujton shën Sikstin II, papë me shokë, të gjithë martirë, shën Donatin e shën Gaetanin nga Tiene, themelues i Teatinëve. Në një botë të kërcënuar nga pushteti i së keqes, njeriu është skllav i gjërave. Por e keqja as që do ta prekte, nëse ai do të besonte vërtet në Atë, që është Zoti i së pamundurës. Këtë na kujtojnë shenjtorët e kësaj dite.

Të enjten më 8 gusht, kalendari kujton shën Dedën e Guzmanit, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëve. Populli yt, o Zot, shpall lavdinë tënde. Predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundura të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të premten më 9 gusht, kalendari përkujton shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, shën Tereza Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer. Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të na mësuar të dialogojmë me hebrenjtë e me besimtarët e feve të tjera.

Të shtunën më 10 gusht kalendari përkujton shën Lorencin, diakon e martir. Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon Jezusi në ungjillin e shën Gjonit (Gjn 12,24-26). Shpirti i Zotit sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton ligjet e detyrimet, të cilat burojnë nga përgjigjja, që duhet t’i japim Zotit.

Të dielën e ardhshme më 11 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 19-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 11 gusht kalendari kujton edhe shën Kjarën e Asizit, virgjër, e shën Suzanën.
Shpëtona o Zot, e dhurona jetën e vërtetë. A jemi duke vepruar për ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar atë që është e pavdekshme në ne? Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.