Bisedimet izraelito-palestineze: brenda nëntë muajsh, marrëveshja për paqen
Kthesë e rëndësishme në dialogun izraelito-palestinez, bllokuar prej vitesh. Falë
ndërmjetësimit amerikan, këto ditë në Uashington, të dyja palët pranuan të vazhdojnë
bisedimet për nëntë muaj, që duhet të përfundojnë me nënshkrimin e një marrëveshje
për paqen, ku të përcaktohet qartë ekzistenca e dy shteteve, atij izraelit e atij
palestinez. Pa dyshim, atmosfera e fillimit të bisedimeve, në vendnumëro prej
tre vjetësh, nuk mund të mos kërkonte kujdes të madh. Është pozitive që nuk pati polemika.
Duke i hedhur sytë në të ardhmen, ministrja izraelite Tzipi Livni tha se nuk duhet
vajtuar e kaluara, por duhen kërkuar zgjidhje. Ndërsa palestinezi Saeb Erekat u përpoq
të kapërcejë skepticizmin e përgjithshëm dhe kundërshtimin e hapur të fondamentalistëve
të Hamasit, në pushtet në Gazë. Presidenti amerikan Obama u kërkoi të dyja palëve
vullnetin e mirë dhe pranimin e kompromiseve të arsyeshme në këtë periudhë nëntëmujore
bisedimesh. Në këtë kuadër, kuptohet edhe gjesti i parë i kryeministrit izraelit Netanijahu,
në kundërshtim të plotë me opinionin publik, që premtoi lirimin e 104 të burgosurve
palestinezë, akuzuar për terrorizëm, në katër etapa, në varësi nga përparimi i bisedimeve.