2013-08-02 15:34:30

Urimet e Papës myslimanëve për fundin e Ramazanit: respekt reciprok, dialog e bashkëpunim


Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të respektojnë reciprokisht fenë e tjetrit, mësimet, simbolet e vlerat, duke i edukuar të rinjtë e tyre me këtë sjellje. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin, në përfundim të Ramazanit, periudhë lutjeje e agjërimi për besimtarët islamikë. Për herë të parë Papa e nënshkroi me dorën e vet këtë Mesazh, që Selia e Shenjtë ua drejton çdo vit myslimanëve, në festë.
Respekt reciprok. Dy terma, që hapin një univers marrëdhëniesh ndërfetare të qeta, të qëndrueshme, me rrënjë në vlerat bazë, që i bashkojnë njerëzit, larg çdo forme të dhunës, e që praktikohen në emër të Hyjit. Në çastin kur hartohej Mesazhi i “Id al-Fitr”, kremtim, që shënon përfundimin e Ramazanit, Papa Françesku vendosi ta nënshkruajë vetë, në vend të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, sipas traditës shumëvjeçare. Duke iu drejtuar myslimanëve të mbarë botës, Papa përqendrohet tek tema e mesazhit: “Promovimi i respektit reciprok, përmes edukimit”, duke u bazuar mbi dy fjalë kyçe: “Respekt, pohon, do të thotë të sillesh mirësisht me njerëzit, që i vlerësojmë e i nderojmë. Ndërsa ‘reciprok’ do të thotë se procesi nuk i përket vetëm njërës palë. U përket gjithnjë të dyja palëve”.
Në këndvështrimin shoqëror e familjar, përmasa të rëndësishme për myslimanët, mbi të cilat ndalet fort Papa, vërehen shumë paralele me fenë dhe praktikën e krishterë, sepse të dyja palët janë të thirrura të respektojnë çdo njeri e, sidomos, jetën e tjetrit, paprekshmërinë e tij fizike, dinjitetin, të drejtat, që burojnë prej tij, emrin e mirë, pronën, identitetin etnik e kulturor, idetë e bindjet politike. Me fjalë të tjera, nënvizon Papa, jemi të thirrur të mendojmë, të flasim, të shkruajmë për tjetrin me shumë respekt, e jo vetëm në praninë e tij, por gjithnjë e gjithkund, duke shmangur kritikat e padrejta e, aq më shumë, përgojimet. E këtu, vijon, duhet theksuar përgjegjësia e familjes, e shkollës, e mësimit të fesë, e mjeteve të komunikimit.

Duke vënë në jetë parimet e respektit reciprok në marrëdhëniet ndërfetare e, sidomos, ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, Papa Françesku shkruan:
“Jemi të thirrur ta respektojmë fenë e tjetrit, t’i nderojmë mësimet e saj, simbolet, vlerat; të tregojmë respekt të posaçëm për prijësit fetarë e për vendet e kultit. Sepse, ngulmon Papa, janë tepër të dhimbshme sulmet, që i bëhen njëri-tjetrit në këtë drejtim kaq delikat”.
E në këtë pikë Papa është tejet i prerë:
“Duhet t’i formojmë të rinjtë tanë të mendojnë e të flasin me respekt për fetë e tjera e për ndjekësit e tyre, duke shmangur çdo prirje për t’i përqeshur ose për t’i njollosur bindjet e praktikat e të tjerëve. Të gjithë e dimë, vëren Papa, se respekti reciprok është themelor në çdo marrëdhënie njerëzore, posaçërisht ndërmjet njerëzve, që praktikojnë fenë. Kështu mund të lidhen miqësitë, kështu mund të rritet respekti, kështu mund të mirëkuptohen sinqerisht njerëzit e feve të ndryshme. Kujtojmë se në hyrje të Mesazhit, Papa kujton se zgjodhi emrin Françesk, i frymëzuar nga figura e një Shenjti, që njihet si ‘Vëlla universal”, sepse e deshi me gjithë zemër Zotin e me gjithë zemër, njerëzimin. Papa përfundon duke ripohuar konceptin e shprehur marsin e kaluar në takimin me Trupin Diplomatik, të akredituar në Vatikan: “Nuk mund të jetohen lidhje të vërteta me Zotin, duke shpërfillur tjetrin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.