2013-08-02 12:10:53

Atë Kazalone: Papa Françesku u kërkon jezuitëve të gjejnë udhë të reja ungjillëzimi


“Të jemi njerëz me rrënjë e themel në Kishë: kështu na do Jezusi”: kjo është njëra nga frazat e homelisë së Papës Françesku, në meshën e kremtuar së bashku me jezuitët më 31 korrik, në Romë, me rastin e festës së Shën Injacit të Lojolës. Si i pritën sivëllezërit, fjalët e Papës së parë jezuit në historinë e Kishës? Të dëgjojmë eprorin provincial të jezuitëve të Italisë, atë Karlo Kazalone:RealAudioMP3
Kemi përshtypjen e familjaritetit e të afërsisë së madhe me Papën Françesku, i cili e njeh udhën, formimin brenda Shoqërisë së Jezusit e – siç nënvizoi eprori i përgjithshëm, atë Adolfo Nikolas – e ndjen veten jezuit e madje, mendon si jezuit.
Papa Françesku kërkoi të mos krijohen udhë paralele në Kishë, ndërsa miratoi idetë krijuese, që e përtërijnë udhën e Kishës…
Për këtë, duhet të them se Papa Françesku u bën jehonë fjalëve, që Benedikti XVI pati thënë në Mbledhjen e përgjithshme të Jezuitëve, në vitin 2008: “Shkoni drejt kufijve”. Kjo do të thotë të shkojmë në ato vende - që Papa Bergolio i quan periferi - ku jemi më pak të pranishëm. Janë jo vetëm periferi gjeografike, por edhe kulturore e jetësore, skuta varfërie, mënjanimi, brishtësie, për të cilat flet Ungjilli. Prandaj, duhen gjetur mënyra të reja ungjillëzimi, që nuk e ndryshojnë Ungjillin, por ndryshojnë dëshmimin e tij, përtërijnë personin ose bashkësinë që ungjillëzon, e bëjnë Fjalën e Zotit të kuptueshme konkretisht nga ata, që e dëgjojnë.
Ndoshta dikujt mund t’i jetë dukur e çuditshme, por Papa theksoi disa herë në homeli fjalën “turp”. Në çkuptim?
Papa Françesku është thellësisht i rrënjosur në përshpirtërinë e Shoqërisë së Jezusit e kjo fjalë, e përdorur prej tij, vjen nga ushtrimet shpirtërore. Në fillim të ushtrimeve, shën Injaci i Lojolës flet për meditimin mbi mëkatin. Papa Françesku tha se ne nuk e kemi të lehtë të ndjejmë turp për të këqiat që kemi bërë, apo për ato ku jemi përfshirë njëfarësoj. Ndërkaq, është mirë t’i njohim kufizimet tona e të përpiqemi, me ndershmëri, t’i zbulojmë ato zona të errëta, atë anë të fshehtë të përvojës sonë njerëzore, që ka të bëjë me turpin e me fajin. Mendoj se kjo është një udhë e mirë, që fillon me kthimin e zemrës për çdo besimtar, duke nisur nga vetë Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.