Papa Françesku: ka ardhur koha e mëshirës dhe e dhembshurisë, Kisha të jetë afër
njerëzve
Kisha katolike përkujton sot Shën Alfonsin Maria de’ Liguori, ipeshkëv napoletan që
diti të depërtonte në zemrën e të varfërve të 1700-së. Për të, kompozitor i këngës
së famshme të Krishtlindjes ‘Ti ulesh prej Parrizit’(Tu scendi dalle stelle),
Mishërimi i Fjalës së Zotit ishte shembull për t’u ndjekur nga Kisha që vërtetë donte
të ishte Nuse e Hyjit të afërt me popullin e vet. E njëra ndër temat e trajtuara nga
Papa Françesku gjatë udhëtimit të tij apostolik në Rio de Zhanjero ka qenë pikërisht
ajo e një Kishe që jeton në gjirin e njerëzve, e një Kishe nënë plot mëshirë. Ja disa
pre fjalëve të shqiptuara nga Papa Bergoglio gjatë vizitës së tij në Brazil: Kjo
është “kohë e mëshirës” – tha me forcë Papa Françesku – e Kisha “duhet të shkojë për
t’i kuruar plagët” e njerëzve, duhet “të jetë e mëshirshme me të gjithë, duhet të
ketë mëshirë për çdo kënd....jo vetëm t’i pres njerëzit, po ajo duhet të shkojë e
t’i kërkojë! Kjo do të thotë mëshirë” (Biseda në avion, 28 korrik). Për këtë arsye
është vendimtare afërsia e Kishës, “sepse Kisha është nënë, e nënën nuk e njohim përmes
korrespondencës. Nëna...na përkëdhelë, na prek, na puth, na do. Kur Kisha, merret
me mijëra gjëra tjera, e lë pas dore këtë punë e nuk kujdeset më për këtë afërsi,
e lë pas dore atë dhe komunikon vetëm me dokumente, e kështu bëhet porsi ajo nëna
që komunikon me të birin me anë të letrave”. Shpesh mungon kjo “afërsi” (Intervista
në tv Brazilian ‘O Globo’, 28 korrik). Për Papën Françesku, lypet një Kishë që
të di jetë më shumë “lehtësuese e fesë sesa mbikëqyrëse e fesë”. Përkundrazi, nganjëherë,
kemi disa “veprimtari baritore ‘të largëta’, veprimtari baritore disiplinore që privilegjojnë
parimet, sjelljet, normat, nismat organizative...natyrisht pa afërim e pa afërsi,
pa përdëllim, pa përdhelje. Injorohet kështu ‘revolucioni i butësisë e i dhembshurisë’
që shkaktoi mishërimin e Fjalës Hyjnore. Ekzistojnë pastaj veprimtari baritore të
organizuara mbi bazën e një distance të tillë që vërtetë janë të paafta të arrijnë
deri te takimi: takimi me Jezu Krishtin, takimi me vëllezërit e motrat”. “Si janë
homelitë tona? – pyet Papa – A na afrojnë për shembull me Zotin tonë Jezu Krisht,
që ‘fliste porsi Ai që kishte autoritet’ apo janë plot me dhënie rregullash, moraliste,
të largëta, abstrakte?”. (Fjalimi drejtuar Komitetit të koordinimit të Celam, 28 korrik). “Ndoshta
– nënvizon Papa Françesku – të folurit tonë për misterin e kemi reduktuar në një
shpjegim të thjesht racional; ndërsa tek njerëzit, misteri depërton përmes zemrës”.
“Nganjëherë, i humbasim ata që nuk na kuptojnë sepse e kemi harruar thjeshtësinë,
rëndësinë e të folurit me zemër. Pa gramatikën e thjeshtësisë” – vëren Papa Bergoglio
– misioni ynë “është i destinuar të dështojë”. Ndoshta Kisha është dukur “tepër largët”
nga nevojat dhe hallet e njerëzve, “ndoshta tepër e ftohtë... ndoshta tepër autoreferenciale,
ndoshta skllave e fjalëve të vete të ashpra e rigoroze”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit
brazilian, 27 korrik). Përkundrazi, lypet – tha Papa – një Kishë që di të dialogoj
me ata që “ecin pa cak, të vetëm e të vetmuar, të zhgënjyer nga një Krishterim që
tashmë konsiderohet tokë e shterpët, i pafrytshëm, i paaftë për ofruar kuptim” e orientim.
“Lypet një Kishë, në gjendje të jetë vërtetë shoqe e shoqëruese jete, të shkojë përtej
dëgjimit të thjeshtë; një Kishë që shoqëron udhëtimin e njerëzve duke u vënë bashkë
me njerëzit në udhëtim; një Kishë që di t’i kuptojë se si shkaqet apo arsyet për çka
njerëzit largohen, përmbajnë në vetvete, edhe arsyet e një kthimi të mundshëm. Jezusi
kërkon nga dishepujt e Emausit përzemërsinë e ngrohtësinë e zemrës. Do të doja – vijoi
Papa Françesku – që të gjithë të bënim pyetjen, sot: a jemi akoma një Kishë e aftë
për ta ngrohur zemrën?”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik). Atëherë
pra, sot lypet një Kishë e aftë të rizbulojë thellësinë dhe bukurinë e përdëllimit
prej nëne. Pa përdëllim – përfundoi Papa Françesku – vështirë se mund të depërtojë
në botën e të ‘lënduarve’, ku njerëzit kanë nevojë për mirëkuptim, për falje, për
dashuri”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik).