2013-08-01 12:49:14

Më 1 gusht kalendari kujton shën Alfonsin Maria de’ Liguori


Sot më 1 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Alfonsin Maria nga Liguori. Lindi në Napoli të Italisë në vitin 1696. Meshtari shenjt e muzikanti i talentuar, autor i himnit të Krishtlindjes: "Ti zbret nga yjet", kreu me sukses studimet dhe që në moshën 19 vjeçare ushtroi profesionin e avokaturës në gjykatë. Pas një gabimi gjyqësor, bërë pa dashje, braktisi profesionin dhe vendosi të bëhet meshtar, avokat i asaj drejtësie hyjnore që është përplot me mëshirë, që shfajëson çdo fajtor e fal çdo mëkat , kur njeriu pendohet e kërkon hir.
U diplomua në të drejtën civile e kishtare, u bë meshtar dhe themeloi Kongregatën e Shpërblyesit të Shenjtë (Redemptoristët) për ta shpallur ungjillin njerëzve të thjeshtë. Iu kushtua predikimit të Ungjillit për t’i dhënë gjallëri jetës së krishterë në mes të popullit. Ai përpiloi shkrime asketike dhe shkroi libra të teologjisë morale, që patën një jehonë të madhe e për çka është mbajtur si mësues. Qe apostull i kultit të Eukaristisë dhe i Virgjërës Mari.
Iu përkushtua në mënyrë veçantë e me shumë zellë misioneve popullore, u kujdes për të varfërit e të sëmurët, qe mësues i shkencave morale. I zgjedhur si ipeshkëv i Shën Agatës të Gotëve pak më vonë dha dorëheqjen dhe vdiq më 1 gusht 1787 pranë të afërmve në Nour të Paganëve në Kamjani.

Shën Alfons Maria de’ Liguori: “Ti ulesh prej Parrizit”.
Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons Maria de’ Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti ulesh prej Parrizit’. E lehtë për t’u kënduar e përshtatur për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo ninullë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës. Është njëra nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes. E këtë melodi, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje. Pa të Krishtlindja do të humbiste një element tejet tërheqës:

Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!
Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja. Marrë në oficen “Visari shpirtnuer”.







All the contents on this site are copyrighted ©.