Si sot, më 1 gusht 1937, mbylli sytë në Shkodër, prifti e poeti i madh shqiptardom Ndré Mjedja. Meshtari, poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën
e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së jetës",
një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, dom
Ndré Mjedja, lindi në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t'u përshkuar pastaj tërë
jetën nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë
të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë
në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk
bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën
“Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian
Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte
nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike
e tomistike, teologjike e filozofike”. (“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino,
Febbraio, 1966, fq. 45) Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e 142- të
të ditëlindjes, po vëmë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare. Ndonëse
shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me
plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike
të përkthimit si dhe të prozës shqipe. Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të
përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më
1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej
spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes,
botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes
më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata
të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull:
“Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre
përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës
së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio
XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike
që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve
të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë,
ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Në kreun e parë - siç e quan Mjedja,
lexojmë: “Luigj Gonzaga! Ęmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me ęjë; që ka
begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue
nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís ęjëllore; qi ká
xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me
përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkű
permęndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështęnimit në Romë, e deri në mâ të largtin
katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder
pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me
u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon
nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’ęmen fëmijvet, qi të
jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne. Në kreun
XXII të librit, që titullohet “Zani i Shęjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që
e shtyu Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti:
...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve
të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shęjte, mësimi i të vertetave të Fës,
e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës
së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme...
(gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin
e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën
Apostolike të Shenjtit Atë Papë. Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia
Shejte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar
njëherësh. Vepër e Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur
të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh
lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët. Duke
lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po
atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës
janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mundur
të nxjerrë ende nga gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit
të madh, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës,
si bie fjala “Shën Luigj Gonazaga” ose “Historia Shejte”, shkruar me dorë mjeshtri,
artisti e shkencëtari, vepra që do të zgjonin interesimin e jashtëzakonshëm që kanë
treguar e tregojnë besimtarët e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e
për figurat e saj të mëdha.