Në përvjetorin e vdekjes së dom Ndre Mjedjes(1866 – 1937) po kujtojmë artikullin që
jezuitët botuan në revistën e tyre “LEKA” për të nderuar kujtimin e tij, pak ditë
pas 1 gushtit 1937, kur Meshtari e Poeti i madh ndërroi jetë. Ky shkrim do tregon
se ç’përfaqësonte Dom Ndré Mjedja për jezuitët. Në Historinë e Letërsisë Shqiptare,
Tiranë 1983, fq. 341 për Dom Ndre Mjedjen shkruhet: ... Edhe në çastin e vdekjes
e më vonë, klerikët reaksionarë, i mohuan atij nderimin dhe u munduan ta nënvleftësonin,
por rinia, që e donte aq shumë, e përcolli në varr me dhimbje... Pas më se një
gjysmë shekulli nga vdekja e Mjedjes, revista LEKA(Vjeta IX, nr.7, gusht 1937)
u jep përgjigjen e merituar atyre të cilët hodhën baltë mbi marrëdhëniet e atij që
vlerësohet si korifeu i Kolegjit Saverian dhe jezuitëve. ZI NË FAMILJE TË “LEKËS” ...
Dom Ndreu diq! Ai sot nuk âsht mâ nder né. Që me sot Ai fillon e jeton në né, në
kujtimin t’onë, me punën e Vet, me njatë frymë qi ká dijtë me i dhânë vepres së Vet
sá me u bâ i padekshëm. Ai nuk âsht mâ. Lavdet që kurr s’i dote, lavdet qi bota
duket se i ruen krejt për vedi, ... lavdet qi vetem deka ua ep të mëdhajvet, ato sot
mund të shpërthejnë prej zemrës qi njohti zemrën e Tij, prej mendes qi kupton menden
e Tij, prej vepres qi vepron në vepren e Tij. Ai nuk âsht mâ. Dom Ndreu nuk na
ndien. Mundena me folë pá u a ndalë hovin ndiesive t’ona. Atij, qi kúr shkueme
me i urue shtatëdhetëvjetorin - shi në ketë kohë qi po na tokon me kjá per Tê - u
kuq prej permallimit e, Vigani u bâ si fëmija kundrejtë nxânësave të Vet, atij mundena
me ia sjellë sot fjalën pá droje se po e bâjmë me u kuqë. E fjalën mâ të parën
ia thame na të rijt: “Né na perket me trashigue vepren Tande. Kjé i madh, vepra jote
âsht e madhe, por Ti na ké frymëzue, në né ké me gjetë vullndetin e mirë, bashkimin
qi na forcon, e kena me dijtë me të shkue per gjurmë.” Ia thame heshtueshem ndër
rrugët e Shkodres, kúr trupi i Tij i ngrîmë randonte mbî duer t’ona qi dridheshin
jo njaq prej peshimit sá prej emocjonit qi kishim tuj mendue Kê ishim tuj bajtë. I
ndêjem afer n’atë ças Dom Ndreut, mâ afër se kur ishim ndër banka të shkollës e i
kena folë me zemër në dorë. Ai kje i yni e na kjém krejt të Tij. I dhamë besen
e besen do t’ia mbajmë. Dona me i folun prap prej këtyne fletve... dona me i folë
prap na, t’i flasë gjithkushi: Kleri, qi u nderue tue e pasë antár të vetin, çdo shqiptár
qi ia njeh vëleren Gjuhës së vet e lavrorëve të Sajë. T’i flasin ata qi dijtën
me marrë pjesë me shkrimet e veta private e të shtypuna, në kremtimin e shtatëdhetëvjetorit
të Tij. Leka i hap fletët e veta per miqt e Dom Ndreut! Leka qi e pat të vetin,
krejt të vetin, nëzitsin, ndimtarin, këshilltarin e vet, Leka e gjênë vedin sod vetun
pá Tê, nuk ka mâ me e ndie zânin e Tij. ... S’dij shka t’i tham sod. Sod
due me kjá per Tê. Dom Ndreu diq. Foli per Tê nji Argjipeshkev, foli nji
Kryetár Bashkije: nderë e madhe, por Aj e meritoj. Pat nji funeral qi e organizoj
djelmënija shkodrane pá ndryshim besimi: e para herë ndoshta qi nji dekë bashkon në
ketë mënyrë lulen e djelmënisë intelektuale, por Aj e meritoj. Në dekë, universitarët
qi në dhéna të hueja kan mësuesat e vet e qi në Shkoder gjithmonë ngitshin tu Dom
Ndreu, e çpallen per mësues të tyne. Fjalët “Universitarët e Mësuesit” qi ata deshten
me shkrue në sheritin e kuq të kunorës, janë fjalë symbolike. E a s’kje Dom Ndreu
me të vertetë Mësuesi i tyne? Në punë të studimeve të nalta, shum e lypen ndimen e
Tij. E Aj s’pritoj me e thanë fjalen e vet. E njaty, në atë odë të Jezuitëve të Shkodres
qi per né ka me mbetë përherë në kujtim, më atë tavolinë pune mbushë me letra e shkrime
gjithnduersh, aty n’atë odë, me orë e orë s’pritote plaku me u dhanë arsye Universitarëve
të vet. E të gjith e çmuen ndimen e Tij. Kunorat e rrethuen arkivolin e Tij:
Argjipeshkvi, kleri, djelmënia e shoqnija deshten me i dhanë shêjin e nderimit. ... S’dij
kúj i ká vojtë neper mend mâ të parit me thânë se Dom Ndreu shkrou pak. Un nuk e dij
si gjikohet vepra e madhe: a në sostancë, a në vëllim! Per me qitë në shtyp shka
qiti Dom Ndreu, nuk mundet kurr me u thanë se shkrou pak, thue se nuk ká dashtë me
punue mâ. E prá në vepren e Dom Ndreut vrehet puna e padáme, mendja në tê e shkrime,
kultura e thellë në tê e pershîme. Nuk mundena na me formue nji opinjon qi të na
bâjë me mendue se sa punën do ta kish bâ Dom Ndreu po të kishte shkrue mâ shum. Për
me mërrijtë tu shkrimet e Tija qi na kena para sysh, âsht e pamundun mos me e mendue
Nierin qi shkrou, nji puntuer të palodhshem, të papushim, të pakursyeshem. E verteta
âsht se Dom Ndreu na ka qitë perpara vetem vepren e persosun. Në ketë veper gjindet
kultura e Tij mâ e thélla. Kush historian si Dom Ndreu? Kush lavrues i gjuhës si Aj?
Kush klasik si Aj? Por, pse Aj e muer persypri mundin e zgodh kryeveprat e na i
qiti né - tuj na e kursye mundin qi per ketë punë duhet të bâjmë me shkrimtarë të
tjerë - vetun per këta të thona se shkrou pak? Çka shkrou (po flas këtu per lirikë)
âsht kryeveper e Tija e e Letrsís shqiptare. Me e ndjekë per gjurmë, me e studiue
e me e çmue vepren e Tij! Artikulli nënshkruhet: Ales. Është pseudonimi i Profesor
Injac Zamputit, i cili do të punonte pranë Atë Valentinit në drejtimin e katedrës
që e kishte lënë të zbrazët Poeti e Gjuhëtari i madh.