2013-08-01 12:05:28

Atë Lombardi: Risia e kumtimit të Papës Françesku është falja për të gjithë


Vijon, në mbarë botën, jehona e bisedës së gjatë të Papës me gazetarët e pranishëm në avionin papnor, që fluturonte drejt Romës, nga Rio-de Zhanéjro, të dielën mbrëma. Humorizmi, çiltërsia, liria me të cilën fliste Ati i Shenjtë, prekën shtypin, opionin publik e më gjerë. I kërkuam një koment zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili skicon edhe bilancin përmbledhës të përvojës së jetuar në Brazil.

Përgjigje: - Gjëja, që më preku më shumë nga biseda me gazetarët, qe gjatësia, sepse ishim në udhën e kthimit e, pas një jave kaq të ngarkuar, nuk dihet si ndjehesh; ndjehesh përsëri në formë, ke akoma forca, apo ndjehesh shumë i lodhur… Gatishmëria e Papës për t’iu përgjigjur pyetjeve, zgjati deri në fund të fundit, ndonëse pati thënë se ndjehej paksa i lodhur…. E pati thënë në fillim, por duke theksuar se nuk donte t’i kufizonte pyetjet, edhe nëse ishin të vështira, ose të pavend. Gatishmëria e tij qe e plotë, e çelësi i sjelljes së Atit të Shenjtë ishte çiltërsia, vetvetishmëria, çelës shumë bindës, shumë i besueshëm, gjë që të gjithë, e posaçe gazetarët, e kapën fluturimthi. Nuk kishte asgjë për të fshehur, asnjë pengesë për të thënë të vërtetën, natyrisht duke folur në mënyrë të përshtatshme, për t’u kuptuar e për të qenë konstruktiv.

Pyetje: - Lidhur me përmbajtjen e bisedës me shtypin, vëmë theksin posaçërisht mbi disa tema etike, të cilat ndokush i quan krejt të reja, në krahasim me papnitë e mëparshme...

Përgjigje: - Nuk më duket! Madje më duket se pikërisht mbi pikat – t’i quajmë – themelore, Papa kujtoi qartë traditën e Kishës dhe magjisterin e saj. Unë jam bir i Kishës, tha, prandaj jam në vazhdimësi me gjithçka ka thënë e vijon të thotë Kisha. Lidhur me temën e shugurimit meshtarak të grave, foli shumë qartë; theksoi se porta është e mbyllur. Ndërsa për homoseksualitetin kujtoi Katekizmin e Kishës Katolike. Çka është e qartë në sjelljen e Papës Françesku e ndoshta, edhe çka i prek e i tërheq më shumë njerëzit, është aftësia e Atit të Shenjtë për ta bërë të kuptueshme temën e dashurisë së Zotit për të gjithë. Askush nuk duhet ta ndjejë veten të përjashtuar nga dashuria e Zotit, nga mëshira e tij, që i lehtëson, i mjekon plagët e njerëzimit. Papa Françesku e ndjen me të vërtetë se është i dërguar për ta shpallur këtë dashuri, për ta komunikuar këtë mëshirë të Hyjit për të gjithë. Në fund të fundit edhe vetë sjellja e tij ka prirjen për ta shprehur këtë afërsi e këtë dashuri të Zotit. Ky, sipas meje, është aspekti më karakteristik i papnisë së tij. Në këtë drejtim, Françesku është kumtar, me një karizëm të vërtetë force, efikasiteti e edhe aftësie tërheqëse, sepse të gjithë e ndjejmë nevojën për dashurinë e Zotit. Në bisedën me shtypin, pastaj, shtoi edhe një temë, mbi të cilën sigurisht do të flasë përsëri. Është tema e faljes së mëkatit: kujtoi se Zoti i fal mëkatet e, kur i fal, me rrëfimin e dashurinë e tij, edhe i harron. E, prej këndej, edhe ne duhet t’i ngjajmë Zotit në këtë sjellje, duhet të falim e të harrojmë. Jemi para shembëlltyrave të njohura ungjillore, por që duhen rikujtuar. E mendoj se Papa e di fare mirë që në shoqërinë e sotme ka nganjëherë një farë ngulmimi për të kujtuar mëkatet e tjetrit, pa kurrfarë dhimbe, mëshire e mirëkuptimi. Kjo ka shumë rëndësi edhe për ta kuptuar sakramentin e Rrëfimit e të Pendesës, për të cilin Papa flet shpesh.

Pyetje: - Në fjalimin e lamtumirës, para se të largohej nga Rio, Papa pohoi: “Krishti po përgatit një pranverë të re në mbarë botën, falë të rinjve”. Si e kuptoni ju këtë frazë? A nuk ndjehet në të një frymë profetike?

Përgjigje: - Po, por duke i përfshirë këto fjalë në një hapësirë më të gjerë. Është për t’u pritur pranvera a ndryshimi, në sajë të të rinjve, mbasi ata na japin zellin, na japin shtytjen për të bërë gjëra të reja, edhe më të bukura, se këto, që mundem të bëjmë deri më sot. Por duhet kujtuar se këtu rinia nuk idealizohet, si t’i kishte në vetvete të gjitha aftësitë për ta rinuar botën... Jo! Papa foli shumë qartë për një Kishë, një bashkësi e një shoqëri, që ecin drejt përmbushjes së planit të Hyjit e për një ardhmëri më të mirë njerëzore, që mund të sigurohet me përgjegjësinë e të gjithëve. Këshu mund të themi se rinia është motori i ndryshimit: kur Papa u thotë të rinjve: “bëni zhurmë e potere”, kjo ka kuptimin bëjeni të lëvizë çdo gjë që ka mbetur në vend, që e ka mbuluar ndryshku. Pa harruar edhe se ky dialog, kjo shkrirje ndërmjet breznive e, më gjerë, ndërmjet pjesëve të ndryshme të shoqërisë, lidhet ngushtë me këtë Ditë Botërore të Rinisë, shenjë e madhe shprese , që i jep shtytje përpara ecjes së mbarë bashkësisë njerëzore, ecjes së Kishës, asaj të Brazilit, por edhe Kishës së mbarë botës.

Pyetje: - Me fjalët e ndryshme drejtuar Kishës së Brazilit, Kishës latinoamerikane, Kishës së botës, Papa krijoi edhe një kornizë më të gjerë, sesa atë, që pati skicuar gjatë meshëve kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke ndriçuar edhe më shumë udhën e Kishës. Cilat janë, sipas jush, etapat e kësaj udhe, që hapet pas përvojës në Brazil?

Përgjigje: - Besoj se nuk është kryer gjithçka me këtë udhëtim, ndonëse ishte thellësisht shprehës në këtë fillesë papnie. Papa foli shumë për një Kishë, që nuk mbështetet vetëm mbi vetveten, por ia hap portat gjithë botës misionare. Ishte rasti për ta thënë këtë konkretisht, lidhur me marrëdhniet e të rinjve e të përgjegjësve të bashkësive, domethënë ipeshkvijve. Nuk duhen harruar edhe takimet me botën e të varfërve e me atë të vuajtjes: perspektiva nga të cilat duhet parë realiteti i botës së sotme. Perspektiva e të varfërve - Kisha e varfër, për të varfërit - hyri qartë në këtë shtegtim. E, për të përfunduar, do të theksoja edhe aspektin marian, devocionin për Zojën e Bekuar, të cilin Papa e ndjen shumë, sepse është themelor për të e për Kishën e sotme e të përhershme. Papa tha: “Kisha, që nuk e pranon rolin e gruas në gjirin e saj, është Kishë që vetëdënohet me shterpësi”. Prej këndej, edhe kjo fillesë mariane e shtegtimit ishte shumë domethënëse, perspektivë shprese e fekonditeti për impenjimin e Kishës në Botë!







All the contents on this site are copyrighted ©.