2013-07-30 15:44:19

Telegrami i Papës Françesku për viktimat e Kampanies në Itali


Në një atmosferë mallëngjimi të madh, u kremtua sot paradite në Pallatin e Sportit, në Pocuoli të Italisë, funerali i 38 viktimave të autobuzit, që ra në Monteforte Irpino, në autostradën Napoli-Bari, të dielën mbrëma. Mesha u kremtua nga ipeshkvi i vendit, imzot Xhenaro Paskarela, në praninë e kryeministrit të Italisë dhe të autoriteteve të tjera. Për të gjithë familjarët e viktimave, mbërritën ngushëllimet e Papës Françesku, i cili i siguron se do të lutet për ta dhe u uron të plagosurve shërim të shpejtë. U jep një “bekim të veçantë” atyre, që vajtojnë të dashurit. Në telegramin, me firmën e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone, dërguar dje, shkruhet:
“Sapo e mori vesh lajmin e hidhur të aksidentit dramatik rrugor në autostradën A16 Napoli-Kanoza, ku humbën jetën shumë vetë, ndër të cilët edhe disa fëmijë, Ati i Shenjtë shprehu pjesëmarrjen e tij të thellë në dhimbjen, që ka përfshirë territorin kampan e, ndërsa siguron lutje të zjarrta për shpirtin e viktimave të shumta, që Zoti Atë t’u japë atyre pushimin e pasosur, i kërkon Hyjit shërimin e shpejtë të të plagosurve e jep një bekim të veçantë apostolik, si ngushëllim për të gjithë ata, që vajtojnë humbjen e të dashurve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.