2013-07-30 15:45:32

Papa Françesku në “TV Globo”: Zoti kërkon thjeshtësi e populli, meshtarë të varfër


Të ndalemi në intervistën, që Papa Françesku i tha televizionit “Globo” në Brazil. U bëri përshtypje të gjithëve toni i dialogut, shpesh me humor e ironi, që karakterizoi përgjigjet e Atit të Shenjtë. Gazetarëve, që e pyesnin për veturat e tij modeste e për banesën në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, u tha se “populli lyp varfëri nga meshtarët”. Prifti ka nevojë për makinë, tha Papa Françesku, por jo për modelin e fundit. E përsëriti edhe se banon në Shtëpinë e Shën Martës, sepse ka nevojë për njerëz. Me ironi shtoi: “Ma ka këshilluar psikiatri”. Pastaj, serioz: “Mendoj se në këtë çast, Zoti kërkon prej nesh më tepër thjeshtësi”.
Edhe për televizionin “Globo”, Papa përshkoi të gjitha temat, për të cilat u fol në konferencën e shtypit në avionin e kthimit nga Rio-de-Zhanejro, që nga tema e sigurisë, tek reforma e Kuries Romake – ku ka shumë shenjtorë, tha, njerëz të Zotit që e duan Kishën – tek shkandulli brenda Kishës, tek shenjtërimi i Papës Gjoni XXIII e Papës Gjon Pali II e, pastaj, një këshillë për të rinjtë e të moshuarit.
“Kush komandon sot – tha Papa Françesku – është paraja. Kjo sjell një politikë, që mendon vetëm për ekonominë, pa asnjë kontroll etik”. “Kur në botë mbretëron idhujtaria e egër e parasë, përqendrohemi tepër në qendër, duke harruar skajet e shoqërisë, duke i mënjanuar, duke i braktisur. Deri tani, kemi parë qartë si mënjanohen të moshuarit. Ka një filozofi të tërë për këtë: nuk duhen, nuk prodhojnë. Edhe të rinjtë nuk prodhojnë shumë. Kanë nevojë për formim. E tani, po shohim edhe mënjanimin e këtij skaji tjetër, mënjanimin e të rinjve”. Por, duke bërë kështu, vijoi Papa Françesku, bota shembet.
“Sot, shtoi ai, ka fëmijë që s’kanë ç’të hanë… Ka të sëmurë, që s’mund të blejnë ilaçe. Ka burra e gra pa shtëpi, që dimrit, vdesin nga të ftohtit. Ka fëmijë pa arsim. Por asgjë nga këto nuk përbën lajm për gazetat. Ama, kur bursat humbin 3-4 pikë, kjo trajtohet si të ishte fatkeqësia më e madhe”.
Prandaj, këshilloi Papa, duhet të kemi më tepër kujdes për skajet e shoqërisë, për të rinjtë e të moshuarit. E nuk duhet të biem në globalizimin e indiferencës, pasi këto skaje janë e ardhmja e shoqërisë. Duhet të nxisim kulturën e takimit, të punojmë për të tjerët, pa egoizëm, bazuar në vlerat e fesë, të çdo feje. “Pikërisht – përfundoi Papa Françesku – ky impenjim për të tjerët do të jetë pika e takimit me ta. Të dalim nga vetja për të zgjidhur problemet e mëdha të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.