2013-07-30 13:15:56

Konferenca e shtypit e Papës në avion u pëlqen të gjithëve: tone të reja për afirmimin e mësimeve të Kishës


Bëri jehonë të jashtëzakonshme konferenca e shtypit e Papës Françesku, gjatë kthimit me avion nga Brazili në Romë. Një orë e 20 minuta para zjarrit të pyetjeve të lira, të papërgatitura. Një konferencë shtypi e vërtetë, së cilës iu nënshtrua Papa Françesku, sapo avioni filloi të ngjitej mbi qiellin e Rio-de-Zhanejros, në kthim për në Romë nga Dita Botërore e Rinisë në Brazil. Ati i Shenjtë i çuditi gazetarët, kur pranoi t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve, edhe atyre më delikate, nga reforma e IOR-it (Bankës së Vatikanit) tek lobi gay e Vatileaks e deri tek sqarimi i përmbajtjes së çantës së zezë, që pati me vete në këtë udhëtim, i pari ndërkombëtar për të.
“Ishte një udhëtim i bukur, shpirtëror, më bëri mirë”, tha Papa Françesku, duke komentuar përqafimin me të rinjtë e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, që në meshën e fundit, e mbushën plazhin e Kopakabanës me 3 milion vetë. “Të takohesh me njerëzit të bën mirë”, vazhdoi Ati i Shenjtë, “pasi të tjerët mund të na dhurojnë shumë gjëra të bukura”. Pastaj, disa fjalë për sigurinë:
“Në të gjithë Rio-de-Zhanejron, gjatë këtyre ditëve, nuk ka pasur as edhe një aksident. E gjithçka ishte spontane. Me më pak siguri, munda të rri me njerëzit, t’i përqafoj, t’i përshëndes, pa makina të blinduara... Është siguria, që vjen nga besimi tek populli. Vërtet, ekzistonte rreziku i pranisë së ndonjë të çmenduri… por ekziston edhe Zoti. Nuk e desha makinën e blinduar, sepse nuk mund të blindohet një ipeshkëv nga populli i vet. Preferoj çmendurinë e kësaj afërsie”.
Papa Françesku falenderoi organizatorët dhe gazetarët për bashkëpunimin e çmuar në tregimin e ngjarjeve të javës së kaluar. Ç’i bëri më shumë përshtypje në këtë udhëtim ishte mirësia dhe aftësia për ta kapërcyer dhimbjen me gaz, karakteristika të popullit brazilian:
“Mirësia, zemra e popullit brazilian është e madhe, vërtet e madhe; është popull i dashur, që e do festën, popull që, edhe në vuajtje, e gjen gjithnjë rrugën për të kërkuar të mirën. Është popull plot gaz, megjithëse ka vuajtur shumë!”
I referohej vizitës në favelën e Varzhinjës, Papa, i cili aty preku varfërinë e skajshme dhe dhimbjen e shumë familjeve. Pastaj, kënaqësia e Atit të Shenjtë për pjesëmarrjen e mëse 3 milion të rinjve nga 178 vende në meshën përfundimtare të Kopakabanës, por edhe lutja – lajtmotiv i Ditës Botërore të Rinisë – e, edhe vizita në shenjtëroren e Zojës së Aparesidës. Papa Bergolio kujtoi se ç’kuptim ka ky vend i dashur për Kishën Latinoamerikane, pasi qe seli e Konferencës V të episkopatit të kontinentit, në maj 2007.
Të shumta, argumentet e trajtuara nga Papa me gazetarët. Ndër to, kanonizimi i ardhshëm i dy papëve, Gjonit XXIII dhe Gjon Palit II:
“Përsa i përket datës së shenjtërimit, mendohej 8 dhjetori, por të varfërit polakë nuk mund të marrin avionin, vijnë me autobusa e në dhjetor rrugët janë të ngrira. Atëherë duhet rimenduar data. Do të ishte e mundur në festën e Krishtit Mbret të këtij viti, por edhe kjo është e vështirë, pasi tepër shpejt, duke pasur parasysh se Koncistori për shenjtërimin është caktuar për 30 shtator; atëherë ndoshta mund të jetë më e përshtatshme e Diela e Mëshirës Hyjnore e vitit të ardhshëm”.
Ndërsa kur e pyetën pse vazhdon të jetojë në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, në vend të apartamenteve papnore, Ati i Shenjtë dha të njëjtën përgjigje, që u dha nxënësve të jezuitëve, kur i takoi në Sallën Pali VI:
“Unë nuk mund të jetoj i vetëm, në shoqërinë e një grupi të vogël njerëzish. Kam nevojë të jetoj me shumë njerëz, t’i takoj… Secili duhet të jetojë siç na thotë Zoti. Por përkorja është e nevojshme për të gjithë ata, që punojnë në shërbim të Kishës”.
U zgjidh pastaj, me thjeshtësi e ironi, misteri “i madh” i çantës së zezë, që Papa Françesku mori me vete në udhëtimin për në Brazil. Gazetat e gjithë botës harxhuan faqe të tëra me hipoteza nga më të çuditshmet:
“Nuk kishte brenda çelësin e bombës atomike eh! E marr me vete, sepse bëj gjithmonë kështu. Çfarë ka brenda? Briskun e rrojes, librin e lutjeve, bllokun e një libër për lexim: mora një libër për shën Terezinën, për të cilën kam shumë devocion. Është normale të marrësh çantën me vete, duhet të jemi njerëz normalë, të mësohemi të jemi normalë e jam pak i çuditur që imazhi i çantës xhiroi rreth botës”.
Pastaj, gazetarët u përqendruan në tema delikate, si reforma e Institutit për Veprat fetare, IOR, më shumë i njohur si Banka e Vatikanit. E Papa argjentinas u përgjigj me thjeshtësi:
“Nuk e di si do të përfundojë IOR-i: disa thonë se është mirë të kemi një bankë, të tjerë, se do të shërbente një fond ndihme, të tjerë akoma, thonë ta mbyllim. Kam besim në punën e njerëzve të IOR-it dhe në atë të komisionit, që po punon për këtë. Nuk e di si mund të përfundojë: po provojmë, po kërkojmë. Por, sigurisht, çfarëdo të bëhet IOR-i, ka nevojë për transparencë dhe ndershmëri”.
Përsa u përket temave etike si aborti dhe bashkimet ndërmjet njerëzve me të njëjtin seks, Ati i Shenjtë theksoi se Kisha është mëse e qartë për këtë. Në lidhje me ekzistencën e një lobi gay në Vatikan, tha:
“Shkruhet shumë për lobet gay. Deri tani nuk kam gjetur në Vatikan ndonjë, që e ka të shkruar ‘gay’ në kartën e identitetit. Duhet dalluar ndërmjet qenies gay, pasjes së kësaj prirjeje, e krijimit të lobit. Të gjitha lobet janë të këqija. Nëse një njeri është homoseksual e kërkon Zotin me vullnet të mirë, kush jam unë, që ta gjykoj? Katekizimi i Kishës Katolike mëson se njerëzit me prirje gay nuk duhen diskriminuar, por duhen pranuar. Problemi nuk është ta kesh këtë prirje, problemi është të bësh lobi, grupe me influencë negative, e kjo vlen njëlloj edhe për grupet afariste, politike dhe masonike”.
U fol edhe për çështjen e kungimit të të divorcuarve të rimartuar. Papa Françesku shpjegoi se ky është problem i ndërlikuar, për të cilin do të flasë me Këshillin e 8 kardinajve në tetor. Të divorcuarit mund të kungohen, kungimin nuk mund ta marrin vetëm të divorcuarit e rimartuar. Duhet shikuar në tërësi tema e baritorisë martesore, nënvizoi Papa, i cili përmendi ortodoksët, të krishterë, që ndjekin teologjinë e ekonomisë dhe e lejojnë një bashkim të dytë. “Paraardhësi im në Buenos Ájres, kardinali Quarracino, – kujtoi Ati i Shenjtë - thoshte gjithnjë: “Për mua gjysma e martesave janë të pavlefshme, mbasi ka shumë nga ata, që martohen pa e kuptuar se martesa nuk është shaka, se martesa është përgjithmonë, ose e bëjnë për leverdi shoqërore etj etj.... Edhe tema e anulimit duhet studiuar”. E përsa i përket pjesëmarrjes së grave në Kishë, duke përjashtuar mundësinë e shugurimit meshtarak, mbyllur përgjithmonë nga Papa Gjon Pali II, Ati i Shenjtë Françesku tha:
“Një Kishë pa gratë, është si kolegji apostolik pa Marinë. Roli i grave është ikonë e Virgjërës, e Zojës së Bekuar. E Zoja është më e rëndësishme se Apostujt. Kisha është femërore, sepse nuse e nënë… Nuk e kemi bërë ende teologjinë e gruas. Duhet bërë… Por duhet të kujtojmë se Maria është më e rëndësishme se apostujt ipeshkvij, e kështu gruaja në Kishë ka më shumë rëndësi se ipeshkvijtë e se meshtarët”.
Papa Françesku lavdëroi pastaj punën e Lëvizjeve të Përtëritjes Karizmatike në Kishë, të cilat, pohoi, fillimisht nuk i kuptonte, por më vonë e pa, duke i njohur, se janë të nevojshme, janë hir i Shpirtit Shenjt. Përsa i përket marrëdhënieve me ortodoksët, nënvizoi se perëndimi ka nevojë për ajrin e freskët, që vjen nga krishterimi lindor. Jo më kot, vetë Ati i Shenjtë nuk e quan kurrë veten papë, por “ipeshkëv i Romës”, pikërisht për t’u vënë në të njëjtin nivel me të tjerët, për të ndihmuar ekumenizmin. E duke iu përgjigjur pyetjes mbi praninë e Benediktit XVI në Vatikan, tha:
“Për mua është si të kisha një gjysh të urtë në shtëpi. Gjyshi në familje nderohet e dëgjohet. Benedikti XVI nuk ngatërrohet me punët e tjetrit. I kam thënë disa herë: “Shenjtëri, mund të prisni njerëz, të bëni jetën tuaj, ejani me ne…”. Erdhi në përurimin e shtatores së Shën Mëhillit në Vatikan… Për mua është si një gjysh në shtëpi; është babai im. Nëse kam ndonjë vështirësi, mund të shkoj e t’i flas, siç bëra për problemin e madh të Vatileaks.... Kur i priti kardinajtë, më 28 shkurt, për t’u përshëndetur me ta, u tha edhe: ndërmjet jush keni një papë të ri, të cilit i premtoj që tani bindjen time. Është i madh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.