Brazili ndjen që tani “saudade” (mall) për Papën Françesku. Kjo është ndjenja e përgjithshme,
që përshkruajnë këto ditë, gazetat e vendit latinoamerikan, pas përfundimit të Ditës
Botërore të Rinisë. Nëse “Jornal do Brasil” titullon me shkronja të mëdha se katër
ditët e fundit në metropolin kariokas kanë qenë ditë “paqeje të plotë, pavarësisht
nga 3 milion vetë nëpër rrugë”, gazetat e tjera i japin hapësirë të madhe intervistës
së Papës Bergolio për televizionin “Globonews”, transmetuar në programin “Fantastico”.
Gazeta “O Globo” vë theksin mbi komentin e Atit të Shenjtë për manifestimet në
sheshet e Brazilit. Titulli: “Papa i nxit të rinjtë të protestojnë, por i paralajmëron
për rrezikun e manipulimit”. “Françesku e do Kishën në shërbim të besimtarëve”
shkruan e përjavshmja “Veja” në variantin e saj në internet, ndërsa “Estadao” ndalet
në fenomenin e rënies së numrit të katolikëve në Brazil e në Amerikën Latine në përgjithësi,
duke nënvizuar se për Papën, njëra nga arsyet, mund të jetë “mungesa e afërsisë së
Kishës me dishepujt e vet”. “Françesku kritikon liberalë e konservatorë në Kishë”
titullon gazeta “Folha de S. Paulo”, e cila, në nëntitull, citon fjalët e Papës, që
tha se “ideologjitë sjellin rrezik për veprimtarinë baritore”. Por të gjitha mediat
bien dakord kur është fjala për të përshkruar ndjenjat e mirëkuptimin ndërmjet Papës
dhe shtegtarëve e popullsisë braziliane. “Gjatë qëndrimit të tij – shkruan në një
editorial për “G1”, eksperti në të Drejtën Kanonike, Edson Luiz Sampel – Ati i Shenjtë
shkaktoi një ortek me gjeste ëmbëlsie”. Edhe për gazetën “O Dia”, “imazhi i Papës,
që përqafonte të moshuar e puthte fëmijë nëpër rrugët e Rios do të mbetet përgjithmonë
në kujtesën e brazilianëve”. “Qyteti – shton gazeta kariokase – u zgjua sot indiferent.
Nuk do ta shohim më atë zotërinë e gjatë, rinor e karizmatik, gjithnjë të rrethuar
nga një turmë oqeanike, e etur edhe për një përshëndetje të vogël me dorë. E malli
fillon të pushtojë shpirtrat”.