Papa Françesku: “Që tani, kam mall për Rion”. Në avion flet edhe për IOR-in e për
lobet në Vatikan
Papa Françesku është plotësisht i kënaqur për suksesin e udhëtimit të tij në Brazil.
“Mendoj se një udhëtim papnor bën mirë gjithmonë. Në konferencën e shtypit me gazetarët,
në avionin, që po e sillte në Romë nënvizoi: ka rëndësi jo vetëm prania e Papës, por
edhe ajo e të rinjve të DBR-së, që u mobilizuan të gjithë. Do ta ndihmojnë Kishën”.
Ati i Shenjtë Françesku pati fjalë lavdërimi për aftësinë e jashtëzakonshme të
brazilianëve për t’i pritur problemet, pa e shuar gëzimin. “Jam i kënaqur – u tha
gazetarëve – qe një udhëtim i bukur, shpirtëror. Jam i lodhur, por jam mirë. Takimi
me njerëzit të bën mirë: Zoti punon në secilin prej nesh e të gjithë janë në gjendje
të na dhurojnë gjëra të bukura”. Papa Françesku e ngriti në qiell “mirësinë e
zemrën e popullit brazilian, i madh, edhe në vuajtje, sepse gjen gjithmonë rrugën
për t’i kapërcyer problemet me gaz”. E foli sidomos për mbresat që i la dita e djeshme,
me 3 milion të rinjtë e pranishëm në plazhin e Kopakabanës. “I gjithë bregdeti – nënvizoi
Papa Bergolio – ishte plot e përplot deri te kthesa e ishin aty edhe përfaqësuesit
e 178 vendeve”. Përfundoi, duke kujtuar Aparesidën: “Shkova të lutem tek Zoja, por
kishte një turmë vigane”. Ati i Shenjtë falendëroi së fundi, gazetarët, për “punën
e mirë”.