2013-07-29 15:20:32

Papa, ipeshkvijve të CELAM: rrini afër njerëzve, jini të varfër e të mëshirshëm


Ipeshkvi duhet të jetë bari pranë grigjës së vet, të mos sillet si i gjithëpushtetshëm e të mos mendojë si princ, por të jetë e të ndjehet i varfër: kështu i tha dje Papa Françesku Komitetit të koordinimit të Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (CELAM). Ky komitet u mblodh që sot deri më 2 gusht në Rio-de-Zhanejro. Ati i Shenjtë uroi të fillojë një lloj revolucioni i dhembshurisë në Kishë.RealAudioMP3
Risim i brendshëm në Kishë e dialog me botën aktuale. Janë dy “sfidat” e misionit kontinental në Amerikën Latine e Karaibe, për të cilat u foli ipeshkvijve Papa Françesku. Ashtu siç e pati theksuar edhe Konferenca kishtare e Aparesidës, në vitin 2007, kushti për përtëritjen e Kishës është kthimi i barinjve të saj, fushë, në të cilën – siç nënvizoi Ati i Shenjtë – “jemi pak si mbrapa”:
“Ky kthim i zemrave do të thotë të besojmë në Lajmin e Mirë, të besojmë në Jezu Krishtin, që na sjell Mbretërinë e Zotit, në hyrjen e Tij në botë, në praninë e Tij, që e mund të keqen, të besojmë në ndihmën e në udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, të besojmë në Kishën, Korp i Krishtit që e zgjat në kohë dinamizmin e Mishërimit të Hyjit”.
Papa u sugjeroi barinjve të Kishës të shohin thellë brenda vetes, në ndërgjegjen e tyre; u kërkoi të mos jenë thjesht administratorë, por të mëshirshëm, të aftë të afrojnë në Kishë edhe ata, që janë larguar, të përfshijnë besimtarët laikë, duke kapërcyer tundimin e manipulimit apo madje, të nënshtrimit të tyre.
Dialogu me botën bashkohore – sfida e dytë për misionin kontinental latinoamerikan – do të thotë, sipas Papës Françesku, të dëgjohen pyetjet jetësore të njeriut të sotëm, të njihet gjuha e tij, të veprohet për një ndryshim të frytshëm, me ndihmën e Ungjillit, të Mësimeve e të Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike. E skenarët janë të shumtë:
“Nëse ne mbetemi vetëm në parametrat e ‘kulturës së përhershme’, në fund të fundit, kulturë me bazë fshatin, rezultati do të anulojë forcën e Shpirtit Shenjt. Zoti është në të gjitha anët: duhet të dimë ta zbulojmë për ta kumtuar me idiomën e çdo kulture; e çdo realitet, çdo gjuhë, ka një ritëm të ndryshëm”.
Para tundimeve, vazhdoi më tej Papa, duhet përdorur “qartësia dhe shkathtësia ungjillore” të cilave u nënshtrohet edhe veprimtaria misionare. Tundim janë ideologjizimet e ndryshme të Ungjillit: reduktimi i tij në rregullator shoqëror, si për tregun e lirë, ashtu edhe për kategoritë marksiste; ideologjizimi psikologjik, që e shndërron takimin me Jezusin në një dinamikë brenda vetëdijes; propozimi gnostik, tipik i grupeve elitare, të ashtuquajturit “katolikët iluministë”; propozimi pelagjian, i cili, para të këqiave në Kishë, përpiqet të restaurojë të kaluarën. Tundime të tjera, të përhapura sidomos në Amerikën Latine, janë klerikalizmi, për shkak të mungesës së pjekurisë së laikëve, si edhe funksionalizmi, që e shndërron Kishën në organizatë jo qeveritare:
“Kisha është institucion, por, kur mbahet vetëm me ‘qendrën’, funksionalizohet dhe pak nga pak, kthehet në një organizatë jo qeveritare. Nga ‘Institucion’ shndërrohet në ‘Vepër’. Resht së qeni Nuse e Krishtit për të përfunduar në Administratore, nga Shërbëtore bëhet ‘Kontrollore’…”.
Udha misionare, shtoi Papa Françesku, është udhë, që Zoti e do për sot, jo për të kaluarën e as për të ardhmen:
“’Dita e sotme’ është më e ngjashme me amshimin; edhe më tej: ‘sot’-i është shkëndija e amshimit. ‘Sot’ vemë në lojë jetën e amshuar”.
Veprimtaria misionare nuk duhet të jetë gjithnjë e njëjtë, pasi misionari, nënvizoi Ati i Shenjtë, ka si pikë referimi Jezusin, ose popullin, të cilit i kumton Lajmin e Mirë. Misionari ka kujdes të shohë ç’ndodh në periferi, qendra është vetëm Jezu Krishti. Prandaj, dishepull misionar është ai, që u qëndron afër njerëzve e takohet vërtet me ta. Papa denoncoi ato gjendje në Amerikën Latine e në Karaibe, ku Kisha vepron larg shpirtit të njerëzve, pa u afruar me ta, pa i përkëdhelur, pa u treguar e dhimbshme. Lë kështu mënjanë ‘revolucionin e ëmbëlsisë” e të dhembshurisë, që solli Mishërimin e Fjalës. Afërsia sjell bashkim e nis nga homelia. “Si janë homelitë tona? – pyeti Papa. Na afrojnë me shembullin e Zotit tonë, që fliste si Ai, që ka autoritet, apo janë thjesht normative, të largëta, abstrakte?”. Ipeshkvijtë, këshilloi Ati i Shenjtë, ata që duhet të udhëheqin Misionin Kontinental pa kujtuar se janë të gjithpushtetshëm, t’u qëndrojnë pranë besimtarëve, të jenë…:
“Njerëz, që e duan varfërinë, sa varfërinë e shpirtit kuptuar si liri para Zotit, ashtu edhe varfërinë e jashtme kuptuar si jetë e thjeshtë dhe e përkorë. Njerëz, që nuk kanë ‘psikologjinë e princërve’. Njerëz, që nuk janë ambiciozë, dhëndurë të kësaj Kishe, pa pritur të vijë ndonjë tjetër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.