2013-07-29 15:22:45

Atë Lombardi: DBR-së në Rio, sukses i madh e shtytje e madhe e Papës Françesku për risimin e Kishës


Në Meshën përfundimtare në Kopakabana morën pjesë 3 milion vetë. DBR-së në Rio qe një sukses i madh e shtytje e madhe e Papës Françesku për risimin e Kishës. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sigurisht forca tërheqëse e Papës Françesku, si Papa i parë latinoamerikan, aftësia e tij komunikative, ndihmuan shumë për arritjen e suksesit në këndvështrimin e jashtëm të këtij manifestimi. Por ne shpresojmë më shumë në suksesin, parë në këndvështrimin shpirtëror, domethënë, shpresojmë se të rinjtë e kuptuan mirë mesazhin, që u përcolli Papa, që u përcollën këto Ditë. Më duket se tema e misionaritetit, tema e përgjegjësisë, e impenjimit të të rinjve, e ftesës për të mos pasur frikë, për t’i kapërcyer vështirësitë që hasen udhës e për të ndërtuar, së bashku me të tjerët, duke u radhitur në shoqëri aktivisht e me ndihmën e të gjitha palëve, të gjitha pjesëve të tjera përbërëse të shoqërisë, ishte një mesazh shumë i pasur, që i preku thellësisht zemrat. Ndoshta duhet theksuar edhe origjinaliteti i propozimit të Papës, për ta jetuar takimin me të rinjtë, si radhitje në shoqëri e në Kishë, në tërësinë e saj. Tani, me fjalimet, që mbajti; me aktet, që kreu, si me vëmendjen ndaj të varfërve e njerëzve që kalojnë vështirësi, ashtu edhe ndaj të rinjve e shoqërisë, arriti të endë dialogun me një realitet tejet të gjerë, në të cilin bëjnë pjesë të rinjtë. Prej këndej, ishte fjalë drejtuar të rinjve, por edhe të gjithë njerëzve. Kjo më duket se u arrit me sukses të plotë e ky ishte edhe qëllimi i vetë Papës. Edhe dy fjalimet e mëdha, ai drejtuar ipeshkvijve brazilianë e ai drejtuar Celamit, prekin pikërisht një kontekst tejet të gjerë e hapin një perspektivë të madhe mbi mënyrën si duhet jetuar e si duhet paraqitur sot misioni i Kishës.

Pyetje: - Si ta kuptojmë zgjedhjen e Krakovit më 2016, si seli e dytë e DBR-së në trojet polake, pas Çestokovës?

Përgjigje: - E dimë se kardinali Xhivish propozoi, me bindje të thellë, Krakovin, si cak për etapën e ardhshme të shtegtimit të Ditëve Botërore të Rinisë. E mund ta kuptojmë fare mirë, sepse, ndërmjet tjerash, jemi në prag të shenjtërimit të Gjon Palit II, që i shpiku Ditët Botërore të Rinisë. E, siç thotë kardinali Xhivish, ditët e rinisë ishin, ndoshta, një nga arritjet më të mëdha të papnisë së tij. Prej këndej, është e drejtë dhe e bukur që rinia e botës të mund të shtegtojë në trojet e Shenjtit të ri, me emërin e të cilit lidhet pazgjidhshmërisht zanafilla e këtij tubimi botëror të të rinjve, që i jep shumë guxim, shumë entuziazëm e shumë orientim rinisë së mbarë botës.

Pyetje: - Atë Lombardi, a mund të bëni një bilanc për shtegtimin e parë apostolik të Papës Françesku?

Përgjigje: - Mendoj se shtegtimi korri sukses të plotë. I arriti plotësisht qëllimet. Është shtegtim, që i foli rinisë, mbledhur në Brazil, por foli shumë edhe për Brazilin e për mbarë kontinentin latinoamerikan. E pamë Papën në mjedisin e tij, në tokën e tij, duke folur lirisht gjuhën e tij, e edhe spanjishten. Ishte në mjedis familjar, ku mund të lëvizte lirisht, të bisedonte përzemërsisht e të përcillte mesazhe të forta. Papa përdori edhe shprehje tejet të fuqishme, shumë konkrete, me ndikim të madh mbi dëgjuesit. Këtë e bën gjithnjë: në Romë e ka bërë gjithnjë... por këtu e bëri në mënyrë të vetvetishme. Edhe ne patëm rastin për ta njohur më thellë Papën latinoamerikan, në mes të të vetëve. E do të thosha se, duke e parë suksesin e lidhjes të tij baritore dhe orientimin e lirë në këtë tokë, kuptuam edhe më mirë se Papa latinoamerikan, së bashku me përmasën dinamike të Kishës në këtë Kontinent, me takimin e ipeshkvijve në Aparesidë e vazhdimësinë e kësaj ngjarjeje, është pasuri për Kishën universale. E mund të themi edhe se ka shumë mundësi të japë një ndihmesë, që e kemi shprehur disa herë me fjalë, por që tani e pamë në praktikë. Pamë, pra, se nga një Kishë e gjallë, dinamike, si kjo latinoamerikane, e inkurajuar të jetë vetvetja, me të gjithë pasurinë e saj rinore e spontaneitetin e saj, mund t’i vijë një inkurajim i fortë mbarë Kishës universale. Posaçërisht, Kishës evropiane, që ndjehet më e lodhur e më e lidhur me zakonet e veta; e ka shumë mundësi edhe kontinenteve të tjera. Mund të them, prandaj, se e jetuam plotësisht Ditën e Rinisë, jetuam suksesin e madh, pjesëmarrjen e plotë e të thellë të të rinjve, por, mbi të gjitha, pamë Papën duke kryer me autoritet shërbimin e tij si bari universal i Kishës së Kontinentit, që ka më shumë katolikë se të gjitha vendet e tjera të botës. E pamë edhe duke i treguar Kishës universale udhën e përtëritjes, të risimit, që do të jetë e çmuar për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.