2013-07-28 17:08:20

Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të kremtohet në Krakovi të Polonisë, në gjurmët e të Lumit Gjon Pali II. Kështu, Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot në Rio


Gjatë meshës, Papa Françesku u dorëzoi pesë çifteve rinore një riprodhim të Krishtit të Korkovados, simbol i Rios, si edhe një libër lutjesh, duke i nisur kështu, simbolikisht, në mision. Edhe gjatë Engjëllit të Tënzot, që pasoi, Papa Françesku i ftoi sërish të rinjtë të jenë dishepuj misionarë dhe i kërkoi ndihmë Zojës së Bekuar, që t’u tregojë atyre udhën e drejtë:RealAudioMP3
“Maria na mësoftë, me jetën e saj, ç’do të thotë të jesh dishepull misionar. Pasi Zoti e lajmëroi se ishte Nëna e Fjalës së mishëruar, nuk e mbajti për vete atë dhuratë; u nis, doli nga shtëpia dhe shkoi shpejt të ndihmonte kushërirën, Elizabetën… Bëri një gjest dashurie, bamirësie, shërbimi konkret, duke çuar Jezusin, që mbante në kraharor. E këtë gjest e bëri pa vonesë! Ja modeli ynë. T’i lutemi të na ndihmojë edhe ne t’u dhurojmë me gëzim Krishtin familjarëve, shokëve, miqve, të gjithëve”.
Pastaj Papa Françesku lajmëroi, mes haresë së përgjithshme se Dita e ardhshme Botërore e Rinisë, në vitin 2016, do të mbahet në Krakovi të Polonisë, për gëzimin e madh të të rinjve polakë, shprehur edhe përmes një letre të Kryeipeshkvit metropolit të Krakovisë, sekretarit të të Lumit Gjon Pali II, imzot Stansilao Xhivish. “Që sot – shkruan ai – Polonia e Krakovia i hapin dykanatësh zemrat për të pritur, pas tri vjetësh, të rinjtë shtegtarë, me në krye Papën Françesku”, pikërisht në këtë qytet nga ku i Lumi Gjon Pali II u nis për t’u bërë Papë, në vitin 1978.
E kush pyet cilat janë rezultatet konkrete të këtyre Ditëve Botërore të Rinisë, ja njëri, i kësaj Dite në Rio-de-Zhanejro të Brazilit. Kryeipeshkvi i qytetit, imzot Tempesta lajmëroi se me vendim të kryetarit të bashkisë, vendi ku do të zhvillohej Mbrëmësorja e lutjes dhe mesha e sotme – kremtime të transferuara në Kopakabana, për shkak të kohës së keqe – vendi që është quajtur “Campus Fidei” (Fusha e Fesë), do të ruajë kryqin e madh 33 metërsh, që u vendos atje për të rinjtë, por edhe do të vihet në dispozicion për ndërtimin e shtëpive popullore, ku do të strehohen 20 mijë vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.