Papa Françesku takon në katedralen e Rio-de-Zhanejros një grup të rinjsh argjentinas
Në fund të vizitës në favelën e Varzhinjës, Papa Françesku u takua dje në katedralen
e Rio-de-Zhanejros me një grup të rinjsh argjentinas, ardhur në qytetin kariokas për
DBR-në. Edhe ky takim u karakterizua nga entuziazmi e gëzimi i madh. Papa i falenderoi
të rinjtë për praninë e tyre dhe përshëndeti edhe rreth 30 mijë të tjerë, që ndodheshin
jashtë, nën shiun e dendur. Ky takim, jashtë programit, u organizua në çastin e fundit,
me dëshirën e vetë Atit të Shenjtë. E Papa nuk mungoi t’u thoshte të rinjve se pret
prej tyre të bëjnë zhurmë e, mjaft të madhe madje. “Dua – tha Papa argjentinas – që
Kisha të dalë në rrugë; dua të mbrohemi nga gjërat e kësaj bote, nga rehati, nga klerikalizmi,
nga mbyllja në vetvete: famullitë, kolegjet, institucionet duhet të dalin jashtë,
përndryshe kthehen në organizata jo qeveritare e Kisha s’mund të jetë ojq!”. Të
më falin ipeshkvijtë e meshtarët, vazhdoi Ati i Shenjtë, nëse ndokush i shqetëson
paskëtaj. I falenderoj për gjithçka bëjnë. Në këtë çast, denoncoi Papa Françesku,
qytetërimi ynë ka si kult Zotin e parasë e përjashton dy polet e jetës: fëmijët e
të moshuarit. Ka një lloj eutanazie të fshehur, sepse të moshuarit nuk lejohen të
flasin e të veprojnë. Ndërsa të rinjve nuk u japin punë, pra, as dinjitet. Duhet të
ndodhë e kundërta, theksoi Papa. Të rinjtë duhet të luftojnë për vlerat, ndërsa të
moshuarit duhet t’i kalojnë shoqërisë historinë, kujtesën e popujve. E të rinjtë duhet
t’i dëgjojnë të moshuarit. Ju, u tha Papa të rinjve e të moshuarve, jeni dënuar me
përjashtim, por mos lejoni t’ju përjashtojnë. “Feja në Jezu Krishtin – vazhdoi
Papa Bergolio – nuk është shaka: është shkandull! Që Zoti u bë njëri prej nesh, që
vdiq në Kryq, është shkandull. Kryqi vazhdon të jetë shkandull, por është udha e vetme
e sigurtë”. Ati i Shenjtë i ftoi të rinjtë të mos e hollojnë fenë me ujë e të mos
e kthejnë në lëng frutash – lëng groshe do të thoshim ne shqiptarët. Ajo është feja
në Birin e Zotit bërë njeri, që deshi e vdiq për secilin prej nesh. E pastaj
bëri thirrje: “Duhet të bëni zhurmë, të shqetësoni këdo, për të mos lejuar të hollohet
feja me ujë. E së fundi, kërkesa e zakonshme e Papës Françesku: “lutuni për mua, mos
harroni”.