Katedralja ngrihet mbi një territor dhuruar nga Shteti Federal i Guanabarës. Ndërtimi
i Katedrales, nisur më 1964, nën drejtimin e kardinalit Xhejm Kamarra, përfundoi më
1979, kur edhe u shugurua nga kryeipeshkvi i Rios, kardinali Eugjenio de Araújo Sales.
Ndërtesa ka formë krejt të veçantë: ngjet me piramidat maja, për nder të popullsive
të kontinentit latinoamerikan, që morën nga misionarët dhuratën e fesë. Mjafton të
bësh hapin e parë mbrenda kësaj ndërtese të çuditshme, e ajo të zbulon menjëherë gjithë
bukurinë e saj: baza është katrore; qemeri, i lartë 80 metra, me një vetratë qëndrore
në formë kryqi, që i tërheq të gjithë kah Krishti. Krahët e Kryqit shtrihen përgjatë
mureve, derisa prekin tokën, përmes katër vetratave vertikale, vepër e artistit Lorenc
Hailmar, simbol i katër karakteristikave të Kishës, që është Një (ngjyra e gjelbër,
dominuese), Shenjte (e kuqja), Katolike (e kaltra) e Apostolike (e verdha). Në elterin
e madh bie menjëherë në sy një kompozim i Kalvarit, me Krishtin në kryq, Shën Marinë
e Shën Gjonin Ungjilltar. Katedralja, që u kushtohet pajtorëve të Kryeidioqezës, Shën
Sebastianit e Shën Anës, zë më se 5000 vetë. Është vizituar nga Papa Gjon Pali II,
që mbajti këtu, më 2 korrik 1980, Takimin me Ipeshkvijtë e Këshillit Episkopal Latinoamerikan
(C.E.L.A.M), në 25-vjetorin e krijimit.