2013-07-26 15:42:38

Festa e të rinjve me Papën në Kopakabana: feja e revolucionon jetën


Mbrëmë, gati mase një milion të rinj kënduan e u lutën, në një festë të mrekullueshme feje, në plazhin Kopakabana. Ishte takimi i parë zyrtar i Papës Françesku me pjesëmarrësit e Ditës Botërore të Rinisë në Brazil. Ngjarje, që edhe Ati i Shenjtë Bergoglio e komenton sot në Twitter: “Ç’festë e paharruar mirëseardhjeje në Kopakabana!”. Të dëgjojmë reflektimin e të dërguarit të Radio Vatikanit në Rio-de-Zhanejro, Sean-Patrick Lovett:RealAudioMP3
Do të ishte shumë e lehtë - dhe e pranoj se tundimi ishte i madh – të bëhej një krahasim ndërmjet detit të të rinjve dhe oqeanit pranë plazhit ku ata u mblodhën, të krahasohej zhurma e valëve me turmën e zhurmshme, që valëviste duar e flamuj dhe, të bëhej lidhja e pashmangshme me simbolet biblike si uji, deti, peshkatarët…
Do të ishte mjaft informuese – nëse ju pëlqejnë gjëra të tilla – të përqëndroheshim në numra, të cilët vërtet bëjnë përshtypje: 175 vende, 1.000 ipeshkvij, 300 protagonistë të shfaqjes dhe, më i rëndësishmi, mëse një milion të pranishëm… jo të gjithë të rinj.
Do të ishte argëtuese – por e panevojshme – të kërkonim fjalë të mëdha për të përshkruar takimin e parë të Papës Françesku me të rinjtë nga çdo anë e globit, gjatë së ashtuquajturës “ceremoni të mirëseardhjes”, e cila faktikisht, qe e para ndër ngjarjet kryesore të Ditës Botërore të Rinisë… në vetvete, DBR-ja e parë e Atit të Shenjtë.
Do të ishte e tepërt – dhe e mërzitshme – të qaheshim për shiun, edhe një herë…e të përshkruanim si koha e keqe shkaktoi bllokimin e komunikimeve për disa minuta, që dukeshin pa fund.
Do të ishte edukative – dhe e rëndësishme – të komentoheshin të gjitha shtesat e improvizuara të Papës Françesku, në krahasim me fjalët zyrtare. “Të rinjtë janë më të fortë se shiu”, tha ai… “Benedikti XVI po ju sheh në televizion e ju ndjek me lutje”, sqaroi… “Feja e revolucianorizon jetën”, theksoi…
Pa dyshim, e gjithë kjo mund të garantonte një reportazh më interesant – por nuk do të komunikonte asgjë nga bukuria dhe poezia e ngjarjes, nga tingujt e ngjyrat, nga këngët e koreografitë, nga shprehjet e Papës Françesku ndërsa kalonte mes të rinjve, duke shkëmbyer me ta gjeste, emocione e madje edhe kësulën papnore. Fatkeqësisht, të jesh korrespondent e të bësh reportazhe ka kufizimet e veta. Shpresoj të më kuptoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.