2013-07-25 16:23:41

Papa Françesku përqafon banorët e “favelados” në Varzhinja kërkon promovimin e solidaritetit, të drejtësisë shoqërore!


Vazhdon shtegtimi apostolik i Papës Françesku në Brazil, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë. Sot, veprimtaritë kryesore janë takimi, i përfunduar tashmë, me bashkësinë e favelës së Varzhinjës dhe përqafimi i të rinjve me Atin e Shenjtë në plazhin e njohur Kopakabana të Rio-de-Zhanejros.
Dita e Papës filloi me dorëzimin e çelësave të qytetit karikoas nga ana e kryetarit të bashkisë, me një ceremoni në ballkonin e Pallatit të Qytetit, siç quhet bashkia. Po këtu, Ati i Shenjtë bekoi flamujtë e Lojrave Olimpike dhe Paraolimpike, që do të përdoren gjatë Lojrave të vitit 2016, parashikuar për t’u mbajtur në Brazil.
“Kemi bekuar flamujt e figuret fetare – tha Papa. Ju falenderoj shumë për praninë tuaj këtu, në këtë çast. Tani, nga zemra, ju jap bekimin të gjithëve, familjeve, miqve tuaj, lagjes, të gjithëve”.
Pastaj, vizita në favelën e Varzhinjës, ku u prit nga Eprorja e motrave të Nënë Terezës dhe nga etërit somaskë. Gjatë rrugës, Papa Françesku u ndal për vizitë në një familje të varfër të favelës. Në kishën e shën Jeronim Emilianit bekoi elterin e ri të famullisë, për të shkuar më pas në fushën e futbollit, ku e priste me dashuri, duartrokitje e brohoritje bashkësia e Varzhinjës, favela e të varfërve, ku droga dhe trafikantët e saj janë luftuar e larguar nga shteti, duke treguar se nëse ekziston vullneti politik, nuk ka kriminalitet që mund t’i rezistojë ligjit.
Një çift, që përshëndeti Atin e Shenjtë në emër të bashkësisë, vuri menjëherë në dukje ç’ditë e paharruar do të mbetet kjo në zemrat e të pranishmëve. Bashkëshortët i kërkuan Papës lejen ta thërrasin Atë, Atë Françesku, sepse të tillë e konsiderojnë besimtarët e shumtë, të braktisurit e kësaj favele, fatkeqët, të harruarit nga shoqëria e nga politika. Pikërisht, në emër të tyre, çifti e falenderoi Papën Bergolio për praninë e tij në Varzhinja, në bashkësinë e krijuar në vitin 1940 nga njerëzit më të varfër, që vinin nga veriu i Brazilit. Bashkë më favelat e tjera, ajo përbën anën tjetër të medaljes së një vendi, që regjistron ritme të shpejta zhvillimi. Çifti nuk harroi të kritikojë autoritetet, të cilat deri para vizitës së Atit të Shenjtë, pak patën bërë për këtë bashkësi, por sapo u mor vesh që Papa do të vinte këtu, filluan të asfaltonin rrugë e të vendosnin drita. Uroi që kjo punë të vazhdojë.
Më pas, Papa Françesku, me stilin e tij të zakonshëm, u tha të pranishmëve se me vizitën e tij në Brazil, dëshiron të trokasë në çdo derë, t’u thotë të gjithëve “Mirëdita!”, të kërkojë një gotë ujë të freskët e një kafe - apo “kafezinjo”, siç quhet në gjuhën lokale – të flasë me të gjithë, t’i dëgjojë të gjithë, por në pamundësi për ta realizuar këtë ëndërr:
“Bashkësia juaj sot përfaqëson të gjitha rajonet e Brazilit… Në mesin tuaj ndihem i mirëpritur. E është e rëndësishme të dish si t’i presësh të tjerët. Kur jemi bujarë dhe e mirëpresim tjetrin, kur ndajmë diçka me të – pak ushqim, një pjesë të shtëpisë, kohën – jo vetëm nuk bëhemi më të varfër, por pasurohemi; siç thotë fjala e urtë, ‘shtoje një lugë në sofër’. E ju e bëni këtë me dashuri, duke treguar se pasuria e vërtetë nuk qëndron në sende, por në zemra!”.
Papa Françesku nënvizoi se populli brazilian e në veçanti, njerëzit më të thjeshtë, mund t’i japin botës një leksion të çmuar solidariteti, që shpesh harrohet. Prandaj, i bëri thirrje këtij populli të mos lodhet së punuari për një botë më të drejtë e më solidare, secili, sipas mundësive e përgjegjësive që ka:
“Nuk është kultura e egoizmit, e individualizmit, që shpesh administron shoqërinë, ajo, që ndërton e sjell një botë më të pranueshme, por kultura e solidaritetit; të shohim tek tjetri jo një konkurrent apo një numër, por një vëlla”.
Papa Bergolio inkurajoi përpjekjet e shoqërisë braziliane për integrimin e të gjitha shtresave të shoqërisë, përmes luftës kundër urisë e mjerimit. Theksoi se asnjë përpjekje për pajtim e paqe nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme, harmoni e lumturi, nëse shoqëria injoron, braktis e mënjanon një pjesë të saj. Kriteri për gjykimin e një shoqërie, vazhdoi Ati i Shenjtë, jepet nga mënyra si i trajton ajo më nevojtarët. E këtu, vëmendja e Papës Françesku u përqendrua në punën e Kishës Katolike, duke cituar dokumentin ipeshkvnor të Aparesidës, hyrjen e të cilit e pati shkruar vetë, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit:
“Kisha, ‘mbrojtëse e drejtësisë dhe avokate e të varfërve kundër pabarazive të patolerueshme shoqërore dhe ekonomike, që i kërkojnë gjyq qiellit’, dëshiron të bashkëpunojë me çdo nismë, që sjell zhvillim të vërtetë e të gjithanshëm për çdo njeri… Nuk ka promovim të vërtetë të së mirës së përbashkët, as zhvillim të vërtetë të njeriut, kur injorohen shtyllat themelore, që mbajnë një komb, të mirat e tij jo materiale: jeta, që është dhuratë e Zotit, vlerë për t’u mbrojtur e promovuar gjithmonë; familja, bazë e bashkëjetesës e ilaç kundër shthurjes së shoqërisë; edukimi i gjithanshëm, që nuk reduktohet në transmetimin e thjeshtë të informacionit me qëllim fitimi; shëndeti, që duhet të përfshijë mirëqënien e përgjithshme të njeriut, edhe përmasën shpirtërore, thelbësore për ekuilbrin e secilit e për bashkëjetesën e shëndoshë; siguria, me bindjen se mund të fitojmë mbi dhunën vetëm duke filluar nga ndryshimi i zemrës njerëzore”.
Pastaj, duke kujtuar se në Brazil ka shumë të rinj, ju drejtua atyre drejtpërdrejt:
“Keni ndjeshmëri të veçantë për padrejtësitë, por shpesh zhgënjeheni nga ngjarje, që flasin për korrupsion, nga njerëz, që, në vend të së mirës së përbashkët, shohin interesin e tyre. Mos u çkurajoni kurrë, mos e humbni besimin, mos lejoni t’ju shuhet shpresa. Realiteti mund të ndryshojë, edhe njerëzit mund të ndryshojnë. Përpiquni ju vetë, të parët, të bëni mirë, të mos mësoheni me të keqen, por të fitoni mbi të. Nuk jeni vetëm, Kisha është me ju, Papa është me ju”.
Papa Françesku ia besoi bashkësinë e Varzhinjës Zojës së Aparesidës, Nënës së të varfërve të Brazilit e më pas, në mesin e entuziazmit të përgjithshëm, mori disa dhurata nga duart e fëmijëve të bashkësisë, që me punë e mund, është larguar nga droga e trafiku i paligjshëm. Nuk ishte e lehtë për Papën të shkëputej nga përqafimi i njerëzve, por së fundi, u nis me makinë për në katedralen e Rios, ku takoi një grup të rinjsh argjentinas, si ai, ardhur në metropolitin kariokas për Ditën Botërore të Rinisë. Kur nata do të bjerë mbi Evropë, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në festën e mirëseardhjes me të rinjtë përgjatë bregut të Kopakabanës.







All the contents on this site are copyrighted ©.