Papa Françesku përqafon banorët e “favelados” në Brazil e në Varzhinja kërkon
promovimin e solidaritetit, të drejtësisë shoqërore, mbrojtjen e jetës e të familjeve
Vazhdon shtegtimi apostolik i Papës Françesku në Brazil, me rastin e Ditës së 28-të
Botërore të Rinisë. Sot, nga veprimtaritë kryesore qe takimi i Papës Françeskut me
bashkësinë e favelës së Varzhinjës, dhe në mbrëmje vonë përqafimi i të rinjve me Atin
e Shenjtë Bergoglio në plazhin e njohur Kopakabana të Rio-de-Zhanejros. Dita e
Papës sot filloi me dorëzimin e çelësave të qytetit karikoas nga ana e kryetarit të
bashkisë së Rio de Zhanjeros, me një ceremoni në ballkonin e Pallatit të Qytetit,
siç quhet bashkia. Po këtu, Ati i Shenjtë bekoi flamujtë e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike,
që do të përdoren gjatë Lojërave të vitit 2016, parashikuar për t’u mbajtur në Brazil.
I pranishëm, ndër sportistët e tjerë. “Kemi bekuar flamujtë e figurat fetare
– tha Papa. Ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu, në këtë çast. Tani, nga zemra,
ju jap bekimin të gjithëve, familjeve, miqve tuaj, lagjes, të gjithëve”. Pastaj,
vizita e Papës Françeskut në favelën e Varzhinjës, ku u prit nga mijëra e mijëra
të varfër e nga motrat e së Lumes Nënë Terezë dhe nga etërit somaskë. Gjatë rrugës,
Papa Françesku u ndal për vizitë në një familje të varfër të favelës. Në Kishën e
shën Jeronim Emilianit bekoi altarin e ri të famullisë, për të shkuar më pas në fushën
e futbollit, ku e priste me dashuri, duartrokitje e brohoritje bashkësia e Varzhinjës,
favela e të varfërve, ku droga dhe trafikantët e saj janë luftuar e larguar nga shteti,
duke treguar se nëse ekziston vullneti politik, nuk ka kriminalitet që mund t’i rezistojë
ligjit. Një çift, që përshëndeti Atin e Shenjtë në emër të bashkësisë, vuri menjëherë
në dukje ç’ditë e paharruar do të mbetet kjo në zemrat e të pranishmëve. Bashkëshortët
i kërkuan Papës lejen ta thërrasin Atë, Atë Françesku, sepse të tillë e konsiderojnë
besimtarët e shumtë, të braktisurit e kësaj favele, fatkeqët, të harruarit nga shoqëria
e nga politika. Pikërisht, në emër të tyre, çifti e falenderoi Papën Bergolio për
praninë e tij në Varzhinja, në bashkësinë e krijuar në vitin 1940 nga njerëzit më
të varfër, që vinin nga veriu i Brazilit. Bashkë më favelat e tjera, ajo përbën anën
tjetër të medaljes së një vendi, që regjistron ritme të shpejta zhvillimi. Çifti nuk
harroi të kritikojë autoritetet, të cilat deri para vizitës së Atit të Shenjtë, pak
patën bërë për këtë bashkësi, por sapo u mor vesh që Papa do të vinte këtu, filluan
të asfaltonin rrugë e të vendosnin drita. Uroi që kjo punë të vazhdojë. Më pas,
Papa Françesku, me stilin e tij të zakonshëm, u tha të pranishmëve se me vizitën e
tij në Brazil, dëshiron të trokasë në çdo derë, t’u thotë të gjithëve “Mirëdita!”,
të kërkojë një gotë ujë të freskët e një kafe - apo “kafezinjo”, siç quhet në gjuhën
lokale – të flasë me të gjithë, t’i dëgjojë të gjithë, por në pamundësi për ta realizuar
këtë ëndërr: “Bashkësia juaj sot përfaqëson të gjitha rajonet e Brazilit… Në
mesin tuaj ndihem i mirëpritur. E është e rëndësishme të dish si t’i presësh të tjerët.
Kur jemi bujarë dhe e mirëpresim tjetrin, kur ndajmë diçka me të – pak ushqim, një
pjesë të shtëpisë, kohën – jo vetëm nuk bëhemi më të varfër, por pasurohemi; siç thotë
fjala e urtë, ‘shtoje një lugë në sofër’. E ju e bëni këtë me dashuri, duke treguar
se pasuria e vërtetë nuk qëndron në sende, por në zemra!”. Papa Françesku nënvizoi
se populli brazilian e në veçanti, njerëzit më të thjeshtë, mund t’i japin botës një
leksion të çmuar solidariteti, që shpesh harrohet. Prandaj, i bëri thirrje këtij populli
të mos lodhet së punuari për një botë më të drejtë e më solidare, secili, sipas mundësive
e përgjegjësive që ka: “Nuk është kultura e egoizmit, e individualizmit, që
shpesh administron shoqërinë, ajo, që ndërton e sjell një botë më të pranueshme, por
kultura e solidaritetit; të shohim tek tjetri jo një konkurrent apo një numër, por
një vëlla”. Papa Bergolio inkurajoi përpjekjet e shoqërisë braziliane për integrimin
e të gjitha shtresave të shoqërisë, përmes luftës kundër urisë e mjerimit. Theksoi
se asnjë përpjekje për pajtim e paqe nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme, harmoni
e lumturi, nëse shoqëria injoron, braktis e mënjanon një pjesë të saj. Kriteri për
gjykimin e një shoqërie, vazhdoi Ati i Shenjtë, jepet nga mënyra si i trajton ajo
më nevojtarët. E këtu, vëmendja e Papës Françesku u përqendrua në punën e Kishës Katolike,
duke cituar dokumentin ipeshkëvnor të Aparesidës, hyrjen e të cilit e pati shkruar
vetë, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit: “Kisha, ‘mbrojtëse e drejtësisë
dhe avokate e të varfërve kundër pabarazive të patolerueshme shoqërore dhe ekonomike,
që i kërkojnë gjyq qiellit’, dëshiron të bashkëpunojë me çdo nismë, që sjell zhvillim
të vërtetë e të gjithanshëm për çdo njeri… Nuk ka promovim të vërtetë të së mirës
së përbashkët, as zhvillim të vërtetë të njeriut, kur injorohen shtyllat themelore,
që mbajnë një komb, të mirat e tij jo materiale: jeta, që është dhuratë e Zotit, vlerë
për t’u mbrojtur e promovuar gjithmonë; familja, bazë e bashkëjetesës e ilaç kundër
shthurjes së shoqërisë; edukimi i gjithanshëm, që nuk reduktohet në transmetimin e
thjeshtë të informacionit me qëllim fitimi; shëndeti, që duhet të përfshijë mirëqenien
e përgjithshme të njeriut, edhe përmasën shpirtërore, thelbësore për ekuilibrin e
secilit e për bashkëjetesën e shëndoshë; siguria, me bindjen se mund të fitojmë mbi
dhunën vetëm duke filluar nga ndryshimi i zemrës njerëzore”. Pastaj, duke kujtuar
se në Brazil ka shumë të rinj, ju drejtua atyre drejtpërdrejt: “Keni ndjeshmëri
të veçantë për padrejtësitë, por shpesh zhgënjeheni nga ngjarje, që flasin për korrupsion,
nga njerëz, që, në vend të së mirës së përbashkët, shohin interesin e tyre. Mos u
çkurajoni kurrë, mos e humbni besimin, mos lejoni t’ju shuhet shpresa. Realiteti mund
të ndryshojë, edhe njerëzit mund të ndryshojnë. Përpiquni ju vetë, të parët, të bëni
mirë, të mos mësoheni me të keqen, por të fitoni mbi të. Nuk jeni vetëm, Kisha është
me ju, Papa është me ju”. Papa Françesku ia besoi bashkësinë e Varzhinjës Zojës
së Aparesidës, Nënës së të varfërve të Brazilit e më pas, në mesin e entuziazmit të
përgjithshëm, mori disa dhurata nga duart e fëmijëve të bashkësisë, që me punë e mund,
është larguar nga droga e trafiku i paligjshëm. Nuk ishte e lehtë për Papën të shkëputej
nga përqafimi i njerëzve, por së fundi, u nis me makinë për në katedralen e Rios,
ku takoi një grup të rinjsh argjentinas, si ai, ardhur në metropolitin kariokas për
Ditën Botërore të Rinisë. Kur nata do të bjerë mbi Evropë, Ati i Shenjtë do të marrë
pjesë në festën e mirëseardhjes me të rinjtë përgjatë bregut të Kopakabanës.