2013-07-25 17:07:05

Papa Françesku bekon flamujtë olimpikë: Pankali, një gjest i madh


Dita e katërt e Papës Françesku në Brazil nisi me vizitën në Pallatin e qytetit të Rio-de-Zhanéjros, ku kryetari i bashkisë, zoti Eduardo Paes, i dorëzoi çelësat e qytetit. Këtu Papa bekoi edhe flamujtë olimpikë, ekspozuar në oborr. Pikërisht në Rio do të zhvillohen, më 2016, Lojërat e 31-ta Olimpike, të parat në një vend latinoamerikan. Papa i parë latinoamerikan bekon flamujtë e lojërave të para olimpike latinoamerikane! Prekës, ky bekim i jashtëzakonshëm. Prekës e i rëndësishëm për një vend, si Brazili. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, Luka Pankali, kryetar i Komitetit italian Paralimpik:

Përgjigje: - Besoj të jetë strategjike vendosja e kësaj ngjarjeje, në kuadrin e DBR-së. Uroj që ngjarja e madhe olimpike e paralimpike të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në vend, edhe në kuptimin e rimëkëmbjes së zonave urbane të degraduara, por sidomos në kuptimin e vëmendjes më të madhe për problematikat e lidhura me botën e njerëzve që kanë aftësi të kufizuara. Në fund të fundit, ngjarja sportive nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por duhet përfshirë në këtë vizion, sipas meje, strategjik.

Pyetje: - Fakti që Papa bekon flamujtë olimpikë e paralimpikë, ka vlerë të madhe simbolike…

Përgjigje: - Ka vlerë tepër të madhe; për mua, që jam katolik, edhe më shumë. Jemi krenarë. Besoj se bekimi i flamurit olimpik e paralimpik është nxitje e madhe për të mbrojtur vlerat, mbi të cilat bazohet lëvizja sportive.

Pyetje: - E kjo vlen edhe më shumë për një vend, si Brazili, plot me probleme shoqërore. Në këto vende, sporti ka vlerë absolute…

Përgjigje: - Ka vlerë absolute. E them këtë, duke pasur parasysh manifestimet në prag të Kupës së Konfederatës e besoj se sporti përfaqëson e duhet të përfaqësojë një vlerë, se duhet të jetë mjet i politikës shoqërore strategjike. Ngjarje e madhe, pra. Ndihmon për kapërcimin e kontradiktave, që po jeton ky vend, ku banon një popullsi e shumënumërt, por që nuk i gëzon kushtet e duhura shoqëore, kushtet dinjitoze të ruajtjes së shëndetit, të edukimit e të drejta të tjera, të cilat i mungojnë.

Pyetje: - Parë nga ky këndvështrim, ç’mund të presim nga edicioni i Rios, në krahasim me atë të Londrës, vitin e kaluar, që ishte i jashtëzakonshëm në këtë drejtim?

Përgjigje: - Nga ky këndvështrim, besoj se Londra ishte vërtet e jashtëzakonshme. Bëri diçka të paarritshme. Po unë besoj se edhe takimi i Rios do të jetë një ngjarje me përmasa të mëdha njerëzore, që do të dijë ta nderojë një terren ballafaqimi sportiv, por në të njëjtën kohë, do të dijë edhe të kujtojë vlerat, që sjell me vete bota e sportit.

Pyetje: - Ju jeni kryetar i Komitetit Italian Paralimpik. Lojërat paralimpike po bëhen gjithnjë më të rëndësishme. A mund të mendohet për shkrirje të olimpiadës e paralimpiadës?

Përgjigje: - Sigurisht, shkrirja e dy ngjarjeve është ëndërr e ne të gjithëve, por para se ta përfytyrojmë rezultatin, duhet të përfytyrojmë rrugën, që duhet bërë për të mos e humbur e për të mos e zbehur vëmendjen për atletët tanë të jashtëzakonshëm paralimpikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.