2013-07-25 11:44:34

Nga DBR-së e Rios, dhimbja dhe lutja e Papës për aksidentin hekurudhor në Spanjë


Atmosfera e festës rinore në Rio-de-Zhanéjro u trazua nga lajmet dramatike, që arritën mbrëmë nga Spanja. Papa Françesku u njoftua menjëherë për përmbysjen e një treni, që udhëtonte drejt Santiagos së Kompostelës. Të shumtë, shtegtarët e nisur nga vise të ndryshme, për të marrë pjesë, posaçërisht sot, në kremtimin e festës së Shën Jakut. Dramatik, bilanci; rreth 80 të vdekur e 140 të plagosur.
Aksidenti, më i rëndi në Spanjë gjatë 70 vjetëve të fundit, ndodhi rreth orës 20.42, kur treni i shpejtësisë së lartë Madrid-Ferrol ndodhej vetëm tri kilometra larg stacionit të Santiagos së Kompostelës.
Sipas atyre, që shpëtuan gjallë, aksidenti ishte pasojë e shpejtësisë së madhe në kthesë, gjë që shkaktoi përmbysjen e vagonave njëri mbi tjetrin. Ndonëse një nga dëshmitarët pamor pohon se ka dëgjuar një shpërthim të fortë, autoritetet e përjashtojnë çdo mundësi atentati. Vëmendja është përqendruar vetëm tek shpejtësia e trenit, që udhëtonte me 180 km në orë. Gjatë gjithë natës në zonën e tragjedisë vijoi puna për nxjerrjen e trupave nga vagonat, kthyer në gërmadhë, dhe për sigurimin e gjakut, aq të nevojshëm, në ndihmë të të plagosurve.
Sot paradite, në vendin e ngjarjes ishte edhe kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i lindur pikërisht në Santiago, ndërsa administrata e qytetit i anuloi të gjitha festimet e parashikuara. E natyrshme. Në tren ishin shumë shtegtarë, që do të merrnin pjesë pikërisht në këto kremtime, në se nuk do të kishin gjetur vdekjen para se të arrinin.
E Papa Françesku e mori menjëherë lajmin e hidhur, na njofton, nga Rio, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“U informua sonte. I dhashë disa njoftime përmes bashkëpunëtorëve të grupit shoqërues. E di, pastaj se kardinali Rouko i telefonoi personalisht. Kardinali Rouko ka qenë për shumë kohë kryeipeshkëv i Santiagos dhe i Rajonit e, prej këndej, e ndjen tmerrësisht këtë aksident. Deshi të fliste me Papën me gjithë zemër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.