2013-07-25 14:17:33

Më 25 korrik 1968 Pali VI botoi Enciklikën ‘Humanæ Vitæ’


Si sot, më 25 korrik 1968, Papa Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’, që shpjegonte doktrinën kishtare mbi martesën ashtu siç e kishte përcaktuar Koncili II i Vatikanit. Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”.
Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ. E kjo enciklikë është fryt i një vendimi të thelluar, gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi një të vërtetë të pandryshueshme, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah largpamësinë me të cilën përballohet problemi.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha katolike vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV –ve, nga faqet e internetit e tjera.
Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që rri gjithnjë në pritë. Ndërsa dashuria dhe arsyeja së bashku mund të bëjnë diçka shumë të madhe. Pra duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.