Të dashur dëgjues, vazhdojmë t’ju njohim, si çdo të enjte, me Koncilin II të Vatikanit.
Pasi ju kemi folur për katër kushtetutat kaluam në paraqitjen e nëntë dekreteve konciliare.
Sot, do t’ju njohim me dekretin për rolin e ipeshkvijve “Christus Dominus”. Një
nga meritat e Koncilit II të Vatikanit është pa dyshim ajo e studimit, kërkimit e
thellimit në të Vërtetën Hyjnore, vullneti e përpjekja për ta zbatuar atë të Vërtetë
në jetën e përditshme të Kishës shtegtare e veprimtare në një realitet historik të
caktuar. Ndër pikat doktrinore, që u diskutuan në Koncil, vend të rëndësishëm zuri
reflektimi mbi shërbimin e ipeshkvijve, por kjo u bë duke pasur parasysh kushtetutën
mbi Kishën në përgjithësi, “Lumen Gentium”. Nga metoda konciliare për t’i shndërruar
në norma baritore pikat doktrinore të diskutuara, rrjedh dekreti “Christus Dominus”,
që mund ta quajmë “Udhërrëfyes baritor për ipeshkvijtë e për të gjithë ata, që në
një mënyrë apo një tjetër, marrin pjesë e bashkëpunojnë në shërbimin ipeshkvnor”.
Koncili përvijoi kështu figurën e ipeshkvit, ashtu siç e shohim sot. Mënyra e ushtrimit
solemn të kujdesit baritor në shërbim të Kishës, thuhet në dekret, është pa dyshim
Koncili Ekumenik. Pastaj, ndër institucionet kishtare, përmendet Sinodi i Ipeshkvijve,
thirrur nga Papa Pali VI. Edhe sot, ai ka një rol të rëndësishëm në vendimet, që merren
brenda Kishës Katolike. Dekreti shton edhe një pohim tjetër kapital: ipeshkvi
dioqezan gëzon normalisht të gjithë pushtetin, që kërkohet për ushtrimin e detyrës,
por varet nga autoriteti sovran i Papës së Romës, i cili, ligjërisht e në emër të
së mirës së përbashkët të Kishës Universale, mund ta rezervojë për vete vendimin përfundimtar
lidhur me çështje të caktuara. Por cili është ipeshkvi dioqezan, sipas dekretit
“Christus Dominus”? Është Bariu i një dioqeze. Para se të përshkruajë figurën e ipeshkvit,
dekreti jep një përkufizim i bukur i dioqezës: “Pjesë e Popullit të Zotit, që i besohet
një ipeshkvi, i cili me ndihmën e klerit bëhet Bari. Edhe dioqeza, e bashkuar me Bariun
e saj e përmes tij, e bashkuar me Shpirtin Shenjt, falë Ungjillit e Eukaristisë, përbën
një Kishë të veçantë, në të cilën punon e vepron vërtet Kisha e Krishtit: një e vetme,
shenjte, katolike e apostolike”. Në dioqezën e vet, vazhdon më tej dekreti konciliar,
ipeshkvi është dëshmitar i Krishtit para të gjithë njerëzve, të cilëve ua ka me borxh
t’u kumtojë Ungjillin. Kjo detyrë është mbi të tjerat, sado të rëndësishme të jenë.
Ndër meshtarët, rregulltarët e laikët e dioqezës, ipeshkvi është “perfector”, sepse
e udhëheq secilin në udhën e shenjtërisë, por duke u impenjuar të japë ai vetë shembullin
e dashurisë, përvuajtërisë e të thjeshtësisë së jetës së krishterë. Ai është ati dhe
miku i të gjithë meshtarëve, të gatshëm ta dëgjojnë e ta mbështesin me çdo mënyrë.
Ai është pranë besimtarëve, tregon kujdes për kushtet e tyre të jetës, duke u bërë
gjithçka për të gjithë, sidomos për më të varfërit e më të vegjlit. Prandaj, nuk do
të hezitojë ta ndryshojë mënyrën e jetesës, për ta bërë më të përshtatshme me kërkesat
e rrethanat aktuale të kohës, këshillon dekreti “Christus Dominus”. Ipeshkvi nuk
e kryen i vetëm detyrën, por me bashkëpunëtorë, si meshtarë, ashtu edhe laikë. Për
këtë dekreti parashikon një sërë strukturash si figurën e vikarit ipeshkvnor, që mund
të ketë pushtetin e vikarit të përgjithshëm për një detyrë, apo territor të veçantë;
parashikon edhe një Këshill baritor, që mbledh rreth ipeshkvit meshtarë, rregulltarë
e laikë. Një pjesë e madhe e “Christus Dominus” i kushtohet klerit dioqezan. Dekreti
përmend qartë “presbyterium”, familje e vërtetë, ati i së cilës është pikërisht ipeshkvi.
Gjithashtu, nënvizohet me forcë uniteti i mendimit dhe i veprimit ndërmjet ipeshkvit
dhe meshtarëve, për të cilin rekomandohet dialogu, por edhe ndihma e ndërsjelltë shpirtërore
e materiale. Në kapitullin II theksohet se ipeshkvi duhet të favorizojë jetën rregulltare
e të respektojë qëllimin e institucioneve të saj, por edhe meshtarët rregulltarë duhet
t’i binden Bariut të dioqezës. Sipas historianëve, argumenti që u diskutua më
shumë në Koncil qe ai mbi rolin e Konferencave Ipeshkvnore dhe mbi llojin e pavarësisë,
që duhet të kishin nga Selia e Shenjtë. Sot, këto Konferenca, që bashkojnë zakonisht
ipeshkvijtë e një vendi për marrjen e vendimeve kolegjiale baritore, janë realitet.
Papa i pret me rastin e vizitës “ad Limina apostolorum” dhe u drejton mesazhe me frymëmarrje
të gjerë. Dekreti “Christus Dominus” u miratua me 2322 vota pro, dy kundër e një abstenim,
më 28 tetor 1965. Titulli i tij përkthehet “Krishti Zot” e si zakonisht rrjedh nga
fjalët e para të tekstit.